Tiranë, 14 korrik, NOA – Selia rozë në vijim të deklaratave politike është përqendruar rishtas në korrupsionin e qeverisë Berisha-Meta, duke goditur këtë herë pasurimin e ministrit Dritan Prifti, i cili sipas socialistëve, duke iu referuar deklaratës së tij, të të ardhurave, thekson se ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës është bërë brenda vitit milioner.
Deputeti dhe kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Bare, deklaroi se “1.8 milion euro nga shitja e aksioneve të një kompanie, e cila as nuk ekzistonte në deklaratën e mëparshme të pasurisë të Dritan Priftit. Pra, në më pak se 12 muaj në krye të ministrisë së Ekonomisë, ministri Prifti ia doli të krijonte nga hiçi një kompani, ta ngrinte atë dhe të shiste aksionet, duke u pasuruar me 1.8 milion euro. Pra gjatë vitit që shkoi Ministri Prifti ka fituar nga 150 000 euro në muaj. Kjo po që është një mrekulli ekonomike nga ato, për të cilat flet kryeministri”.
Akuzat e selisë rozë vijojnë më tej duke vënë theksin në shpëtimin e Dritan Priftit nga përballja me drejtësinë për aferat korruptive si drejtues i KESH-it, akuza nga të cilat e shpëtuan sipas Bares, dyshja, Meta-Berisha.
Sipas deputetit të PS-së, ministri Prifti duhet të dalë përballë shqiptarëve e të japë llogari për burimin e këtij pasurimi të papritur.
“Ky ministër që shkonte me pushime kur Shkodra e NënShkodra përmbyteshin duhet t’u sqarojë shqiptarëve burimin e këtyre 1.8 milion eurove, një shumë kjo e barabartë me gjysmën e dëmshpërblimit, që morën ato qindra familje shkodrane të cilave ai me korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e tij u shkatërroi shtëpi e katandi”, nënvizoi deputeti i PS-së.
Selia rozë deklaron se “pasurimi i jashtëzakonshëm i ministrit Prifti në një kohë krize ekonomike, përbën edhe një sfidë të rëndësishme për drejtësinë shqiptare, e cila duhet të vihet në lëvizje për të hetuar sesi një ministër i qeverisë Berisha - Meta mund të kthehet sa hap e mbyll sytë në një milioner”.
Bare rikthehet në kohë kur polemizon atë që vetë Prifti kish deklaruar një vit më parë se “mandatet e LSI-së ishin mandate të arta”.
Në këtë kontekst, nënvizoi Bare, “1.8 milion eurot e shtuara në llogarinë e ministrit Prifti, milionat e eurove të shtuara në xhepat e ministrave dhe drejtuesve të tjerë të LSI-së, u japin sot shqiptarëve të kuptojnë konkretisht se për çfarë e kishte fjalën Dritan Prifti”.
mit/NOA