English

Qeveria, 100 milionë lekë për maturantët e shkëlqyer që duan të shkojnë në universitete

Tiranë, 14 Korrik 2010 NOA – Ka hyrë në fuqi vendimi i marrë nga qeveria shqiptare për Fondin e Ekselencës, i cili ofron mbështetje financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer.

Vendimi erdhi nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, ndaj u vendo krijimi i një fondi të veçantë, të financuar nga buxheti i shtetit, në masën deri në njëqind milionë lekë në vit, si edhe nga donacione, për mbështetje financiare të studentëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, të shkëlqyer.

Sipas vendimit, ky fond përdoret nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për:

a) bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit;

b) bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore. c) bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit;

ç) çmime/shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare;

d) çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore, me nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit.

Të drejtën për t’u mbështetur financiarisht, e kanë:

- Studentët që ndjekin studimet e doktoratës, jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve, kur: kanë arritur notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, ose, përkatësisht, mbi 8, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi; - janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doktoratës apo të postdoktoratës; - kanë përgatitur një projekt për kërkim, gjatë studimeve të doktoratës apo postdoktoratës, jashtë shtetit; - pranojnë të punojnë, së paku 3 (tre) vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës apo postdoktoratës jashtë shtetit; - nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 200 000 (dyqind mijë) lekë në muaj.

Përfitojnë gjithashtu studentët që ndjekin, jashtë shtetit, ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, kur: - janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit, si dhe ata që janë pranuar dhe kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore; - pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, ose të bashkëpunojnë me institucionet publike a me sektorin privat TË vendit, në forma të ndryshme, pas përfundimit të ciklit përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën, ose pas përfundimit të të gjithë ciklit të studimeve, nëse kandidati përfitues vijon studimet; - nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 120 mijë lekë në muaj. c) fituesit në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, me reputacion, në formë çmimesh: - nxënës dhe studentë të klasifikuar në tri vendet e para; - studentë dhe doktorantë që kanë përfunduar studimet, universitare ose pasuniversitare, me rezultatin “shkëlqyer”, në një universitet të huaj, që renditet në 30 më të mirët e botës. - autorët e botimeve me nivel të lartë shkencor, të vlerësuar edhe jashtë vendit, të cilët përfitojnë çmime dhe mbështetje financiare për: artikujt shkencorë origjinalë dhe analizat shkencore (revieë), pranuar në revistat shkencore të huaja, që janë të indeksuara, me faktor impakti mbi 2.0; - monografitë, të shkruara në gjuhë të huaj dhe që kërkohen edhe nga institucione jashtë shtetit; - veprat fondamentale, që vlerësohen të një rëndësie të veçantë për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare; - pjesëmarrje me kontribute (referate), në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare.

Rregullat e hollësishme për zbatimin e kritereve, si dhe për masën e financimit për çdonjërën nga bursat e parashikuara, që aplikohen për studentët dhe shkencëtarët e rinj, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i cili, botohet në “Fletore zyrtare”. Sipas këtij vendimi, kriteret për përzgjedhjen e shkollave të larta jashtë shtetit, në raport me koston e kualifikimit, fushat parësore, numrin e bursave për secilën kategori, në varësi edhe të fondit të vënë në dispozicion për këtë qëllim, konsultohen me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik, nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komision merr pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Udhëzimi botohet edhe në “Fletoren zyrtare”. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën, e miratuar nga ministri, për punësim në Shqipëri. Lista botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Studentët, të cilët ndërpresin studimet për më shumë se një muaj, përveç rasteve kur paraqesin raport mjekësor, humbin të drejtën e përfitimit të mëtejshëm të bursës së studimit. Studentët, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 8, nuk përfitojnë bursë në vitin pasardhës. Studentët dhe shkencëtarët e rinj, që kanë përfituar bursë sipas këtij vendimi, kur, pas përfundimit të studimeve, refuzojnë të punojnë në Shqipëri, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur, detyrohen të kthejnë shumën e marrë në formë burse. r.n/NOA

KOMENTE