English

Qeveria Do Të Vazhdojë Procesin E Reformimit Të Avokaturës Së Shtetit

- Kryeministri Berisha priti zv/Avokatin e Shtetit të Spanjës, Manuel Renedo- TIRANË, 14 Korrik/ ATSH/- Kryeministri Berisha vlerësoi sot kontributin e ekspertëve spanjollë në reforminin e Avokaturës së Shtetit dhe garantoi se "qeveria shqiptare do të vazhdojë procesin e reformimit të saj". Zyra e shtypit e kryeministrit bëri të ditur se Kryeministri Berisha, gjatë takimit që zhvilloi me zv/Avokatin e Shtetit të Spanjës, Manuel Renedo, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Spanjës në Tiranës, Manuel Montobbio, si dhe ekspertët që kanë punuar për ligjin e Avokaturës së Shtetit në Shqipëri, u shpreh se "mbetem plotësisht i bindur se procesi i reformimit të Avokaturës së Shtetit do të vazhdojë dhe do të vlerësoja shume ndihmën tuaj në trajnimin dhe përgatitjen e tyre të vazhdueshme". Ai e konsideroi këtë reformë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe siguroi se "kjo reformë do të shkojë deri në fund", duke shtuar se "do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe qeverinë tuaj në fushën e drejtësisë". Duke përcjellë vlerësimet e tij për Mbretërinë e Spanjës, ministrinë e Drejtësisë dhe Avokaturën e Shtetit Spanjoll, Kreu i Ekzekutivit tha se "për Shqipërinë ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm". Zv/Avokati i Shtetit të Spanjës, Manuel Renedo, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mundësinë e bashkëpunimit dhe finalizimin me sukses të procesit formues të Avokatëve të Shtetit në Shqipëri, duke u shprehur se "ky është një hap shumë i rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve shqiptare, si dhe përgatitjen e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian". Nga ana e tij, Ambasadori Montobbio prezantoi ekspertët spanjoll që morën pjesë në realizimin e projektit për Forcimin e Avokaturës së Shtetit në Shqipëri, i cili u realizua në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Drejtësisë dhe Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim me Avokaturën e Shtetit Spanjoll./s.d/s.s./
KOMENTE