Tiranë, 14 Korrik, NOA - Kryetarët e dy grupeve parlamentare kryesore në vend, janë gati të ulen sot në një tryezë të përbashkët për të rinisur negociatat mbi zgjidhjen e krizës politike në vend.
Kështu, bëhet me dijeni se kreu i deputetëve të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, do të takohen sot për të nisur bisedime të reja për zgjidhjen e çështjes së hetimit të zgjedhjeve të qershorit 2009.
Ky në fakt, mund të cilësohet si takimi i pare mes palëve që zhvillohet pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, por vetëm me iniciativën e tyre personale për të zgjidhur sa më parë ngërçin politik në vend.
Paraprakisht, mësohet se opozita do t’u qëndrojë sërish kushteve të saj për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, qoftë kjo edhe gjatë ditëve të nxehta të verës, për të mos shkaktuar vonesa në proces. Ndërkaq, ajo është e përgatitur që t’i kërkojë palës demokrate ruajtjen e fletëve të votimit deri në përfundim të hetimit të materialeve zgjedhore.
Por ajo që dihet me siguri është se të dyja palët janë të interesuara që të respektohen pikat e rezolutës së miratuar vetëm pak ditë më parë nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë.
Dhe se metodologjia e zgjidhjes së krizës do të synojë me çdo kusht realizimin e pikave që mund të plotësohen, për t’i hapur rrugë procesit të liberalizimit të vizave në vend.
n.e/NOA