English

Rrjedh gazi, vdesin tre persona, edhe shumë të helmuar

Indi, 14 Korrik 2010 NOA/ Rid Bulku - Tre persona mbetën të vdekur dhe gjashtëdhjetë të tjerë u helmuan për shkak të një rrjedhje gazi helmues në portin e Mumbait. Lajmi u njoftua nga mediat në Indi.

Aksidenti ndodhi në Badar Haji, ku një sasi e papërcaktuar e gazit të klorit u lirua pranë një shkolle. Në mesin e viktimave ishin shumë studentë dhe zjarrfikës dhe momentalisht autoritetet kanë evakuuar të gjithë zonën.

Siç është bërë e ditur nga mediat lokale, ndërmjet gjashtëdhjetë personave të shtruar në spital si rrjedhojë e helmimit që kanë pësuar, janë 14 studentë të kolegjit “Lal Bahadur Shastri”.

Shtatë prej pacientëve janë në gjendje shumë të rëndë, ku siç bëhet e ditur nga burimet spitalore të “The Times of India” tashmë ka pasur dhe tre viktima.

Agjencia e lajmeve PTI dhe rrjeti televiziv CNN-IBN, megjithatë, kanë folur vetëm për persona të plagosur. Ky aksident ka ndodhur pak para zbardhjes dhe arsyet e tij ende nuk janë përcaktuar.

Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë për ta ndaluar këtë rrjedhje të gazit ku për t’u përmendur është se autoritete si masë paraprake, kanë larguar rreth 400 banorë nga shtëpitë e tyre të cilat ishin pranë asaj zone.

r.b/NOA

KOMENTE