English

Shkup - Gjykata Kushtetuese Pezullon Vendimin Për Mësimin E Maqedonishtes Nga Komunitetet Etnike Që Nga Klasa E Parë

Ë SHKUP, 14 korrik /ATSH-MIA/ - Gjykata Kushtetuese maqedonase pezulloi sot një dispozitë nga vendimi i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nikola Todorov për ndryshime dhe plotësime të planit mësimor për veprimtarinë edukativo-arsimore të arsimit fillor nëntëvjeçar, ku parashikohej që komunitetet etnike të mësonin maqedonishten që nga klasa e parë. Gjykata Kushtetuese e pezulloi pikën 2 nga ky vendim. Gjykata konfirmoi se në këtë dispozitë përcaktohet që në planin arsimor nga klasa e parë deri në të tretën në shkollat fillore të vendosej lënda e gjuhës maqedonase për nxënësit nga komunitetet joshumicë. Sipas kësaj gjykate, bazuar në nenin 42, paragrafi 5, të Ligjit për Arsimin Fillor është parashikuar që lënda e gjuhës maqedonase për nxënësit nga komunitetet që mësimin e realizojnë në gjuhë dhe shkrim të ndryshëm nga gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik, të fillojë në klasën e katërt. Vendimi i ministrit, sipas gjykatës, del jashtë dispozitës ligjore dhe ndërhyn në kompetencat e Parlamentit të Maqedonisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese maqedonase do të publikohet në "Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë". Iniciativën për vlerësimin e kushtetueshmërisë së këtij veprimi e morën PDSH-ja dhe shoqata "Realiteti"./ a.jor.
KOMENTE