English

Shqipëria - Një Vend Që Po Bën Përpara

- Zbulojeni ju, përpara gjithë të tjerëve - - Marrë nga e përditshmja franceze "Le Progres.fr", nga Martine Goubatian - TIRANE, 14 korrik /ATSH/ - "Në Shqipëri nuk duhet shkuar rastësisht. Ky vend i vogël, që po hapet për turizmin, meriton një interesim pak më të madh për historinë e tij, përpara se të nisesh për ta zbuluar", shkruan e përditshmja lioneze "Le Progres" në faqen e saj të internetit lidhur me vendin tonë. E vendosur buzë Adriatikut, është interesante ta nisësh udhëtimin përmes rivierës që shtrihet në një gjatësi prej 440 kilometrash. "Brigjet e Botës" është një nga agjencitë turistike që propozon këtë destinacion në kuadrin e një udhëtimi me anije, gjatë cilit udhëtarët kalojnë nga Kroacia për në Shqipëri përmes Malit të Zi. "MS Arion", një anije me përmasa jo shumë të mëdha (300 pasagjerë), është zgjedhur për të kaluar përgjatë këtij bregdeti të mrekullueshëm. Ajo do të ndalojë në Shqipëri, në Durrës, qytet shumë i lashtë siç e dëshmojnë edhe rrënojat e një amfiteatri të madh. Ky port është rreth tridhjetë kilometra nga kryeqyteti, Tirana, një qytet me një milion banorë dhe befasues në shumë këndvështrime. Kur hyn në Tiranë, befasohesh fillimisht nga fasadat shumëngjyrëshe, punuar nga artistë që kanë mundur të shprehen në liri të plotë pas vitesh të tëra regjimi diktatorial. "Ishte fjala për ta bërë qytetin më pak të zymtë", shpjegon shoqëruesi ynë frankofon, i lumtur që pret turistë në vendin e tij. Dhe kjo është, në fund të fundit, pasuria e vërtetë e këtij vendi, hapja ndaj botës. Kështu pra, na presin në mënyrë të mrekullueshme, kudo që shkojmë. Në rrugë, njerëzit të buzëqeshin, u pëlqen të pozojnë për një fotografi. Një kalimtare na ofron madje edhe një trëndafil në shenjë mirëseardhjeje. Qytet kontrastesh, Tirana mban në vetvete tipare arkitekturore të një regjimi komunist shumë të ashpër, me një radhë banesash rreshtuar sipas stilit musolinian dhe stalinian. Nëse ylli i kuq me pesë cepa është zhdukur nga flamuri kombëtar, vendi nderon fort heroin e tij Skënderbeun që luftoi dikur kundër osmanlinjve. Për ta kuptuar këtë histori, duhet të shkosh në qytetin mesjetar të Krujës, rreth pesëdhjetë kilometra në veri të Tiranës. Në kala, është ngritur një muze në kujtim të të gjithë atyre heronjve që për 500 vjet luftuan kundër pushtuesve otomanë. Është rasti gjithashtu për të zbuluar zakonet dhe traditat në muzeun e traditave popullore dhe për të bërë një guidë goxha interesante në një vatër të çuditshme kulture. Pas kthimit në Tiranë, me rënien e natës nuk duhet lenë pas dore një inkursion në Bllok, lagja rezidenciale e nomenklaturës komuniste, e kthyer sot në një vend joshës ku vetëm festohet. /m.k/
KOMENTE