English

Sport-Futboll/ Besa - Olimpiakos, Atmosferë Festive Në "Qemal Stafa"

TIRANË, 14 Korrik/ATSH- Gjergji Mima/ - Besa e Kavajës do të përballet nesër me Olimpiakosin e Greqisë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Takimi i parë do të luhet në stadiumin "Qemal Stafa" në orën 20:30, ndërsa një javë më pas në stadiumin "Karaiaskaqis" në Athinë do të luhet ndeshaj e kthimit. Ndeshja e parë do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Hollanda, me arbitër kryesor, Richard Liesveld. Do të jenë 1000 tifoze ultras të Olimpiakos në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" për të ndjekur ndeshjen për Europa League, që skuadra e tyre do të luajë kundër Besës. Prej më shumë se dy javësh, grekët kanë rezervuar biletat nëpërmjet klubit të tyre dhe kanë paguar 20 mijë euro në arkat e klubit kavajas. Gjithashtu, në "Qemal Stafa" pritet një numër i madh tifozësh nga Kavaja, por edhe nga kryeqyteti. Mundësinë për pjesmarrjen në këtë kompeticion Besës ia siguroi triumfi në Kupën e Shqipërisë, ku përtej fitimit të Kupës së Shqipërisë, Besa pati edhe dekorin e tifozëve të saj, si një risi e atmosferë që rrallë është ndeshur në stadiumin "Qemal Stafa". E njëjta situatë pritet të jetë edhe ndaj Olimpiakosit nesër dhe klubi i Besës, me në krye presidentin Bizhdili, po punon në këtë drejtim. Presidenti Bizhdili bëri me dije se ditën e enjte në qendër të qytetit, në orën 18:00, do të ketë autobusë pa limit, të gjithë falas në dispozicion të fansëve verdhezinj. Po ashtu, janë përgatitur tashmë edhe flamujt, bluzat dhe flamuri gjigant, i cili do të vendoset të tribunën karshi të "Qemal Stafës". Megjithëse Olimpiakosi është një klub me emër në futbollin evropian, kampi kavajas vijon të ketë optimizëm për një rezultat pozitiv, të paktën në takimin e parë. Besa mbështetet tek një grup lojtarësh të njohur për kampionatin shqiptar si, Jakupi, Shehi, Dragusha, Shkëmbi, Dhëmbi, Dos Santos, Cikalleshi, Poçi, Mihani, por edhe të ardhurit e merkatos, Osmani, Aliju, Lazarevski dhe dy të fundit, boshnjakët Haxhibuliç dhe Ferizoviç. /a.ke/
KOMENTE