English

Sport-Futboll/ Dinamo, Humbje 3-1 Me Sherif Tiraspol Në Champions League

- Kampionia e Shqipërisë e mbylli takimin me dhjetë lojtarë. Për blutë humbja me moldavët ishte e 10-ta në 13 ndeshje. Dinamos i duhet të fitojë minimalisht 2-0 në takimin e kthimit në Tiranë për të shpresuar në kualifikimin e turit të tretë -. TIRANË, 14 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, e ruajti vetëm 50 minuta e barazimin e përkohëshëm (1-1) kundër Sherif Tiraspolit, përpara se të mbetej me dhjetë lojtarë e të humbiste 3-1 takimin me kampionen e Moldavisë, në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. Për 18 herë kampionët e Shqipërisë të drejtuar nga argjentinasi Luis Manuel Blanko, golin e vetëm e shënoi patrioti i tij, Lukas Malarkane në minutën e 12-të, vetëm tri minuta pasi ekipi moldav kishte realizuar më anë sulmuesit serb Vladimir Volkov. Malazezi Bako Nikoliç shënoi golin e dytë për Sherifin në minutën e 62-ë, ndërkohë që mesfushori i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 68-të, duke ia vështirësuar akoma më shumë situatën për ekipin shqiptar. Dy minuta më pas, mbrojtësi brazilian Hoze Nadson shënoi golin e tretë dhe të sigurisë për Sherifin, që mbërrin në Tiranë me avantazhin e dy golave. Sherifi, e zotëroi dukshëm lojën (8-3 goditjet në portë). Për Dinamon, humbja e Sherifin ishte e 10-ta në 13 ndeshje, ku ka arritur vetëm 1 fitore (në transfertë) dhe 2 barazime. Dinamo ka kaluar për herë të fundit një tur në Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003. Dinamo e drejtuar atëherë nga Faruk Sejdini fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55', Pisha 56', Qorri 76') dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4). Dinamos i duhet të fitojë minimalisht 2-0 në takimin e kthimit në Tiranë (21 korrik) për të shpresuar në kualifikimin e turit të tretë, ç'ka është edhe objektivi minimal i presidentit të bluve, Besnik Sulaj, por dhe i trajnerit argjentinas, Luis Manuel Blanko. Kampionët e Shqipërisë dështuan në edicionin 2008-2009, kur me argjentinasin Marcelo Havier Zuleta në bankinë u eliminuan nga kampionia e Bosnjës, Modrica, pas dy humbjeve: 0-2 në Tiranë dhe 2-1 në Zenica.
KOMENTE