Sport-Futboll/ Kombëtarja Shqiptare Ngjit 8 Pozicione Në Renditjen E Fifa-S
- Rivalet në grupin D për eleminatoret e Euro 2012 kanë pësuar rënie -
TIRANË, 14 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Shqipëria u ngjit me 8 pozicione në renditjen botërore mujore të FIFA-s, të publikuar sot në faqen zyrtare (fifa.com), duke u pozicionuar tani në vendin e 71-të nga vendi i 79-të që ishte në klasifikimin paraardhës (26 maj).
Përfaqësuesja e Shqipërisë ka grumbullaur 49 pikë në renditjen e muajit maj, pas 2 fitoreve me rezultatin 1-0, në takimet miqësore ndaj Malit të Zi në Podgoricë në 25 maj dhe ndaj Andorrës në Tiranë në 2 qershor.
Tashmë Shqipëria ndodhet me 455 pikë mes Ugandës (70) dhe Malit të Zi (71) dhe pozicionimi më i mire këtë muaj vjen falë uljes së vendeve të tjera.
Në renditjen specifike të UEFA-s, Shqipëria ndodhet në vendin e 37-të midis 53 ekipeve kombëtare që aderojnë në konfederatën kontinentale, duke fituar 2 pozicione në renditje
Rezultatin më të mirë në renditjen e FIFA-s, Shqipëria e ka arritur në gusht të vitit 2006, kur pozicionohej e 62-ta, ndërsa rezultatin më të ulët në gusht të 1997, kur u rendit në vendin e 124-t.
Përsa u përket kundërshtarëve të kombëtares shqiptare në grupin D për eliminatoret e Kampionatit Europian, Franca ka rënë mjaft pas paraqitjes zhgënjyese ne Botëror, duke zbritur 12 vende nga renditja e kaluar, tani është e 21-ta në FIFA dhe e 13-ta në UEFA.
Rumania, kundërshtari ynë i parë zyrtar, ndodhet në vendin e 42-të, duke zbritur plot 14 pozicione në FIFA dhe është po e 24-ta në UEFA.
Bosnja gjendet në vendin e 57-të, duke zbritur 6 pozicione në renditjen e FIFA-s, dhe është e 31-ta në UEFA.
Bjellorusia gjendet në vendin e 77-të, duke ngjitur 5 vende në FIFA, ndërsa është e 39-ta në UEFA, duke u gjendur kështu pas Shqipërisë.
Ndërsa Luksemburgu gjendet në vendin e 116-të, duke ngjitur 11 pozicione në renditjen e FIFA-s, dhe është i 47-ti në UEFA.
Ndërkohë, në krye të renditjes botërore është përfaqësuesja e Spanjës, pas fitimit në Kupën e Botës "Afrika e Jugut 2010", në vend të dytë është Holanda dhe në vend të tretë Gjermania. /a.ke/