English

Sport-Futboll/ Skënderbeu Dhe Shkumbini, Merkato Cilësore Në Superligë

TIRANË, 14 Korrik/ATSH- Gjergji Mima/ .- Ekipet e Superligës vijojnë forcimin e organikës në merkaton verore. Lojtarët Bledi Shkembi dhe Alban Dragusha pritet t'i bashkohen ekipit të Skënderbeut në Mavrovë, aty ku po zhvillon fazën përgatitore skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça. Dy lojtarët e larguar nga trajneri Shpëtim Duro kanë rënë dakord me drejtuesit korçarë, megjithëse diçka e tillë kishte kohë që qarkullonte, por ditën e sotme është konkretizuar. Ish- kapiteni Shkëmbi është kërkuar me insistim edhe nga tifozeria e zjarrtë korçare dhe në këtë mënyrë është realizuar dhe deshira e të dy palëve për të bashkëpunuar sërish dhe për të vazhduar atë projekt të lënë përgjysëm vitin e shkuar. Ndërkohë portieri i Besës, Orges Shehi, sezonin e ri do të mbrojë portën e Skënderbeut të Korçës. Ai do të luajë dhe dy ndeshjet ndaj Olimpiakosit me Besën dhe pastaj do t'i bashkohet ekipit korçar. Me ardhjen e Shehit te Skenderbeu shkon në pesë numri i lojtarëve që kanë lënë Besën për skuadrën e Skënderbeut. Shkumbini ka bërë goditjen e radhës në merkato. Portieri Elvis Kotorri ka zgjedhur të largohet nga Dinamo dhe ka pranuar të firmosë një kontratë dy vjeçare me skuadren peqinase. Elbasanasi ka firmosur gjatë paradites së sotme, duke bërë që kjo lëvizje të konsiderohet zyrtare./s.s./
KOMENTE