English

Teknologji - Japoni - Në Shtator Motori I Ri Elektrik Me Emetime Zero

- Skuteri i ri prezantohet nga gjiganti i prodhimit të motoçikletave "Yamaha" - TOKIO, 14 korrik /ATSH-ANSA/ - Kompania japoneze "Yamaha Motor", numri dy i prodhimit të motoçikletave në botë, ka prezantuar modelin e ri të motorit elektrik "EC-03", me emetime zero dhe i rikarikueshëm me një prizë të zakonshme elektrike shtëpiake. Skuteri i ri, që ka të njëjtën fuqi sa një motor 50cc, arrin shpejtësinë maksimale të 30 kilometrave në orë dhe mund të udhëtojë për 43 kilometra me një cikël të plotë baterie. Bateria, me jone litiumi, është prodhuar nga kompania japoneze "Sanyo" dhe për t'u karikuar plotësisht i duhen gjashtë orë pa ndërprerje. Motori i ri, mjaft i lehtë për shkak të skeletit të alumintë, është i aftë të kryejë pesë herë më shumë të njëjtën distancë që do të kryente një mjet analog që furnizohet me benzinë, kjo në bazë të kostos së udhëtimit. "Yamaha" po përpiqet të bëhet lider në tregun e mjeteve private me emetim zero të gazrave serë, pasi përkohësisht doli nga ky sektor. Në fakt, gjiganti japonez i prodhimit të motorëve, ka prodhuar motoçikleta elektrike edhe në periudhën 2002-2007, por e ndërpreu shitjen për shkak të problemeve me baterinë. Modeli "EC-03" do të dalë në shitje në tregun japonez në fillim të shtatorit dhe nga viti 2011 do të eksportohet në Evropë dhe në Tajvan. Në harkun kohor të pesë viteve do të prezantohen edhe tre ose katër modele të tjera që nuk emetojnë gazra të dëmshëm për ambientin. "Në vitin 2011 do të fillojmë ta sheshim mjetin e ri në Tajvan, në Evropë dhe më gjerë. Do të përpiqemi të bëhemi liderët botërorë në shitjen e motoçikletave elektrike", deklaroi presidenti i kompanisë, Hiroyuki Yanagi, gjatë një konference për shtyp në Tokio. "Yamaha" parashikon të shesë në Japoni rreth një mijë ekzemplarë në vit, që do të ofrohet me çmimin 252 000 jen (2230 euro). Ndërsa konkurrentja "Honda" prezantoi në pranverë një skuter analog, por që do të fillojë të shitet vetëm në dhjetor dhe në formë të limituar. /e.v/
KOMENTE