English

Tiranë, Trafiku I Drogës, Në Pranga 12 Shtetas

TIRANË, 14 Korrik /ATSH - M.Shkurta /-Një operacion i Policisë së kryeqytetit, Prokurorisë së Tiranës, si dhe autoriteteve gjermane të zbatimit të ligjit, ka bërë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale si dhe vënien para drejtësisë të 12 shtetasve, shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në trafikun e armëve dhe lëndëve narkotike. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, duke u ndalur në detajet e këtij operacioni, bëri me dije të mërkurën se "operacioni për goditjen e këtij grupi kriminal, u bë i mundur pas një bashkëpunimi të strukturave të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Tiranës, Prokurorisë së Rrethit, si dhe autoriteteve gjermane të zbatimit të ligjit". Vocaj ndër të tjera u shpreh se "në më pak se një vit, u arrestuan 12 shtetas shqiptarë dhe të huaj, të implikuar në prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike dhe armëve luftarake". Mbi këtë grup kriminal, të drejtuar prej shtetasve Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi, të arrestuar në Gjermani për "trafik të narkotikëve", rëndojnë akuzat e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe armëve luftarake". Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, të kodur "Triss", u ekzekutua sot vendimi i Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg", në ngarkim të 46 vjeçares Meliha Gjuzi, anëtare e këtij grupi kriminal. Arrestimi i 46 vjeçares Gjuzi u bë i mundur pas një hetimi 6 mujor, të shtrirë në Tiranë, Kosovë dhe Gjermani./s.s./
KOMENTE