Tiranë, Trafiku I Drogës, Në Pranga Tre Shtetas
TIRANË, 14 Korrik /ATSH- M.Shkurta/ . - Strukturat e luftës Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës, arrestuan në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në afërsi të ish- Kinostudios, shtetasit Artan Hysa, Artur Gurzi dhe Albert Durma, përkatësisht 27, 26 dhe 25 vjeç, nga Tirana.
Gjatë kontrollit të ushtruar, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 kg lëndë narkotike e tipit "marihuanë", një pistoletë, një automatik , fishekë, lëndë eksplozive, 4 donatorë elektrikë, 1 granatë dore difensive, 8 krëhëra automatiku, peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, etj.
Lajmi u bë i ditur të mërkurën, gjatë një konference për shtyp nga drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, sipas të cilit, shtetasit e lartpërmendur dyshohet se janë të implikuar edhe në aktivitete të tjera të kundraligjshme, me tendencë vjedhjen e automjeteve, grabitjen me armë, kryesisht në zonat Kinostudio, Linzë, etj.
Kreu i Policisë së Tiranës bëri të ditur gjithashtu se vetëm gjatë periudhës janar - qershor 2010, janë goditur 188 raste të trafikut të narkotikëve dhe janë vënë para drejtësisë 261 autorë.
Sipas tij, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë goditur 54 raste më shumë dhe janë vënë para drejtësisë 98 autorë më shumë, ndërkohë që sasia e lëndës narkotike të sekuestruar, është 20 herë më e madhe./s.s./
-
Art Qerosi19:25 - 27 Prill 2011na akuzojn kot se nuk kam bo gjo