Tiranë, 14 korrik, NOA – “Triss”, operacioni i koduar i policisë së Shtëtit kundër prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe prodhimit e mbajtjes së armëve pa leje ka vënë në pranga një tjetër person.
Ishte drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, që publikoi rezultatet e operacionit “Triss” në bashkëpunim me autoritetet gjermane, dhe arrestimin e 46 vjeçares Meliha Qamil Gjuzi.
Drejori i Policisë, Vocaj, deklaroi në një konferencë për shtyp se “Arrestimi i Meliha Gjuzit, u bë pas një hetimi 6 mujor i shtrirë në Tiranë, Kosovë dhe Gjermani, ku falë një pune të mirëorganizuar nga strukturat e kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisië së Tiranës, në periudha të ndryshme kohore janë arrestuar, 12 shtetas shqiptarë dhe të huaj për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Vocaj tha ndër të tjera se të arrestuarit e këtij operacioni ku Meliha Gjuzi është e arrestuara më e fundit, janë: 53 vjeçari Arif Banush Zelo, nga Lushnja, i arrestuar në Shqipëri në 2 mars; 32 vjeçari nga Lushnja Ermir Dalipaj, i arrestuar në Shqipëri në datën në 2 mars; 27 vjeçari nga Tirana, Alfred Shefqet Qefalia, i arrestuar në Shqipëri në 13 mars; 27 vjeçari Artan Shefqet Qefalia; 36 vjeçari Kujtim Shefqet Qefalia, 54 vjeçari Dhimitri Rako Rapi, i arrestuar në Gjermani, për prodhim dhe shitje narkotikesh; 33 vjeçari Ilia Koço Bregu, i arrestuar në Gjermani për prodhim dhe shitje narkotikësh; 30 vjeçari Gëzim Rexhep Hasandocaj, i arrestuar ne Gjermani, për prodhim dhe shitje narkotikësh; 38 vjeçari Leonard Llesh Brunga, i arrestuar në Gjermani për prodhim dhe shitje narkotikësh; 25 vjeçari Iljan Zeka, i arrestuar po në Gjermani për prodhim dhe shitje narkotikësh; 26 vjeçari nga Kosova Faruk Istrefi, i arrestuar në Gjermani, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, nënvizoi se “mbi këtë grup kriminal të drejtuar prej shtetasve Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi, rëndojnë akuzat e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje të armëve luftarake si dhe trafikim i lëndëve narkotike”.
Rishtas Vocaj e ka vlerësuar goditjen e këtij grupi kriminal si rezultatin e një pune të frytshme dhe një koordinimi të mirë sa i përket informacioneve dhe veprimtarisë hetimore në terren.
mit/NOA