Tiranë, 15 korrik, NOA – Plot 2264 vepra penale ka qenë bilanci i atyre të zbuluara nga forcat e policisë së Tiranës gjatë 6 muajve të parë të këtij viti.
Shifra u komunikua gjatë analizës 6-mujore të këtij institucioni, sipas të cilit, në këtë veprimtari penale janë përfshirë gjithsej 2757 autorë, ndërsa janë arrestuar 671 prej tyre, ndërsa janë shpallur në kërkim 141 persona, ndaj të cilëve po punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Ndërkaq, lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike gjatë analizës së Policisë së Tiranës, u komunikua se janë evidentuar 188 vepra penale në këtë pjesë të parë të vitit, ndërsa janë implikuar dhe proceduar penalisht 261 autorë, nga të cilët 135 janë arrestuar në flagrancë.
Sa u përket krimeve ndaj personave, janë evidentuar gjithsej 89 vepra penale dhe janë zbuluar 80 prej tyre, ose 90 përqind e totalit.
Në fund, ekspertët e Policisë së Tiranës kanë përmendur edhe dukurinë e aksidenteve rrugore, e cila sipas tyre është shpeshtuar, megjithë rregullat e ashpra të vendosura prej tyre.
Kështu, gjatë ketij 6-mujori, në qarkun e Tiranës janë evidentuar 317 aksidente rrugore, me 37 persona të vdekur, 30 plagosur rëndë dhe 250 persona të plagosur lehtë.
Në fjalën e tij, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, tha se dhe ndryshimet në strukturë e riorganizimin në personelin e policisë, u ideuan dhe u realizuan për të sjellë cilësi më të lartë në Policinë e Shtetit.
n.e/NOA