English

Beaman: Kash Është Bërë "Avokat" I Fermerëve Në Fushën E Bujqësisë

-Eksperti Ndërkombëtar në fushën e bujqësisë, Ed Beaman, deklaron në një intervistë për ATSH-së- TIRANE, 15 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ed Beaman, konsulent nderkombetar i pavarur me eksperiencë në fushën e shoqatave bujqësore, në një intervistë për ATSH-në, vlerësoi Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar (KASH) si institucion në rritje, që vazhdon t'i shërbejë shoqatave bujqësore, anëtarëve të saj dhe të mbrojë interesat e fermerëve. I pranishëm në mbledhjen e bordit të KASH, që zhvilloi punimet këto ditë në Tiranë, eksperti Beaman duke bërë të të ditur se është kërkuar nga KASH për të bërë një vlerësim të aktivitetit të institucionit dhe për të dhënë disa rekomandime bazuar në këtë vlerësim, tha se "informacionet dhe eksperiencat ndërkombëtare në fushën e bujqësisë, që do të prezantoj, mund t'i sherbejnë anëtarëve të KASH-it, në procesin e ndërtimit të planeve strategjike për të ardhmen". Eksperti Beamen ka qënë në Shqipëri që nga viti 1999-2002, ku punoi si konsulent pranë projektit AAATA i USAID-it për krijimin e KASH-it. Në këtë konteks, ai theksoi se "KASH me deget e tij në të gjitha rajonet është duke u bërë avokati në fushën e bujqësisë. Bujqësia është një sektor i rëndësishëm dhe KASH është duke bërë një punë të mirë, për zhvillimin e këtij sektori". -KASH, diskuton për t'u bërë pjesë e projekteve të IPARD-it, të financuara nga BE- KASH synon të bëhet pjesë në projektet që Bashkimi Evropian do të zbatojë në sektorin e bujqësisë në Shqipëri, përmes programit IPARD (Instrumenti i Para-Aderimit Ndihmës për Zhvillim Rural) Bordi drejtues i KASH-it, në takimin e zhvilluar ditët e fundit në Tiranë, diskutoi për rritjen e projekteve konkurruese në fushën e agroindustrisë, me qëllim që ato të mbështeten me financime nga BE. Presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj tha se, "KASH tashmë ka një fokus të qartë mbi rëndësinë që ka sektori i bujqësisë për popullsinë rurale, ekonominë në tërësi dhe integrimin evropian të vendit". Në këtë konteks, vijoi ai, objektiv i KASH është përmirësimi i strategjive dhe plan bizneseve për thithjen e projekteve të huaja dhe zbatimin e tyre në sektorin rural. Burime nga ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bënë të ditur se, në fillim të vitit 2012 pritet të fillojë zbatimi i programit IPARD, financuar nga BE për Shqipërinë, që parashikon financimim me grante në vlerën e 15 -20 milion euro në vit për investime në sektorin e agropërpunimit. Duke vleresuar programin IPARD si të një rëndësie të veçantë për mbështetjen e sektorit agrar, ekspertët e MBUMK vënë në dukje se krahas granteve të BE, e domosdoshme është ofrimi i asistencës teknike, shumë e domosdoshme që fermeri të informohet dhe të jetë në gjendje sesi të përfitojë nga këto grande dhe skema ndihme. Në këtë konteks, theksojnë ata, roli i KASH është strategjik, duke realizuar shpërndarjen me efektivitet të kësaj asistence. KASH përbëhet nga 22 shoqata, që operojnë në sektorë stragjikë të bujqësisë dhe agropëpunimit në vend dhe ka mbi 20 mijë anëtarë./s.s./
KOMENTE