Tiranë, 15 korrik, NOA – “Unë mund t’ju them se “Megafarma” është një kompani farmaceutike, distributor farmaceutik, i cili është vetë i familjes suaj dhe drejt saj janë adresuar të gjitha tenderat e prandaj është ndaluar shpallja dhe lidhja e kontratave të këtyre kompanive”.
Kjo është akuza që deputeti socialist, Eltar Deda, ka ngritur sot nga foltorja e Kuvendit, duke iu drejtuar në një interpelancë ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Sipas tij, “rezulton se pronari “Megafarmës” është edhe një zotëri i cili quhet Rasim Hamzaraj, njeriu i cili ka blerë pasurinë e ministrit tjetër të kësaj qeverie, Dritan Prifti, me një pasuri prej 1.8 mln euro”.
“Meqënëse z. ministër thotë që nuk ka klientelizëm unë mund t’ju them se vetëm në tenderin që është bërë në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, në një shumë prej 57 milionë lekësh të reja, një medikament “Loraxefan” i Medifarmës, zë 50% të buxhetit. Dhe e dini kush e drejton këtë? E drejton familja e Drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili i përket partisë suaj”, i është drejtuar në mënyrë të hapur Vasilit, deputeti Deda,
Duke shtuar në fund akuzat se ai ka vënë barna të paregjistruara nëpërmjet lejeve të importit.
“Unë do t’jua vë në dispozicion herës tjetër kur jua thërras në interpelancë. Ju keni deklaruar që kur të bëheni ministër do të gjeni lapsin për të shëruar opozitën, por mesa po e shoh ju keni nevojë dhe duhet që të gjeni lapsin për të shëruar veten tuaj”, e përfundoi ai deklaratën në interpelancën me Vasilin.
n.e/NOA