Divjake: Kabinat E Plazhit, "Molle Sherri" Mes Kryebashkiakut Dhe Keshillit Bashkiak
DIVJAKË, 15 Korrik /ATSH -Rr.Isufaj / - Kabinat e plazhit të Divjakës u bënë sot "mollë sherri" mes kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak, pasi këshilltarët akuzuan kryebashkiakun Irakli Gorreja për abuzime me pronën e qytetarëve, duke e tjetërsuar atë për qëllim përfitimi.
Bashkia e Divjakës ka nën administrim plazhin së bashku me rreth 230 kabina. Kryebashkiaku Gorreja ka nënshkruar një kontratë me biznesin privat për shfrytëzimin e tyre për një periudhë 10- vjeçare.
"Të gjitha veprimet janë të ligjshme, trasparente dhe me leverdi ekonomike për bashkinë. Veprimi yne për dhënien e kabinave i ka shtuar të ardhurat e bashkisë, pasi nga dhënia me qera e këtyre kabinave janë grumbulluar rreth 9 milion lekë më shumë se sa kur i shfrytëzonte ndërmarrja komunale", tha Goreja ne mbledhjen e keshillit bashkiak. Sipas tij, nga 4 milion leke që ishin të ardhurat financiare nga shfrytëzimi i këtyre kabinave, me kontratën e re të lidhur me subjektet private, kjo vlerë shkon në rreth 13 milion lekë.
Edhe pas argumenteve të kryebashkiakut, këshilltarët e LSI, PDK, PSD sërish ngulën këmbë për të bërë transparencën e kontratës dhe procesin e dhënies me qera të gabinave të plazhit, duke e akuzuar kryebashkiakun se kabinat u janë dhënë personave qe kane lidhje familjare me te.
Pas debatesh të ashpra dhe ndërprerjes të vazhdueshme të mbledhjes, u ra dakord që të ngrihet një komision ekonomik për verifikimin e gjithë procedurave në procesin e ankandit dhe të lidhjes së kontratave për kabinat e plazhit.
Ende sot, plazhi i Divjakës është i pastruar, ndërsa mbetje të shumta inerte dhe qyteteve Rrogozhinë e Divjakë derdhen në bregdetin e tij nëpërmjet lumit Shkumbin dhe kanalit kryesor kullues që përshkon zonën. /a.ke/