English

Durrës: Aksidentohet I Moshuari, Ende I Paidentifikuar Autori

DURRËS, 15 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Një i moshuar ende i paidentifikuar është aksidentuar mesnatën e kaluar në rrugën e vjetër Sukth-Maminas, ndërsa forcat e policisë po punojnë për të ndaluar drejtuesin e automjetit, i cili është larguar nga vendngjarja. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Ornela Çako, tha për ATSH-në se kufoma e viktimës së aksidentit ndodhet në morgun e spitalit rajonal. Ajo bëri të ditur se i moshuari ka të veshur një kostum ngjyrë gri dhe në momentin e aksidentit, që i shkaktoi vdekjen, mbante të veshura pantofla, duke shtuar se në xhepa, bashkë me disa monedha metalike, viktimës i janë gjetur edhe mjaft bileta autobuzi të linjave ndërqytetase. Sipas të njëjtit burim, përveç ndihmës që mund të japin qytetarët për identifikimin e viktimës, forcat e policisë po punojnë për të përcaktuar automjetin që ka shkaktuar aksidentin si dhe për të ndaluar drejtuesin e tij. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fabrikës së karameleve në Maminas dhe trupi i pajetë i të moshuarit është gjetur nga kalimtarët, sipas zëdhënëses se policisë së qarkut. /s.s./
KOMENTE