English

Durrës: Familjet E Policëve Të Rënë Në Krye Të Detyrës, Pushime Falas Nën Kujdesin E Mb

DURRËS, 15 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Familjet e punonjësve të policisë, të rënë në krye të detyrës, do të pushojnë gjatë stinës së verës në Durrës, falë kujdesit të Ministrisë së Brendshme. Që nga fillimi i muajit korrik në Shtëpinë e Pushimit të MB në Plepa kanë filluar pushimet 10-ditore me shpenzimet e shtetit 23 familje të policëve që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, tha për ATSH-në drejtori i kësaj Shtëpie, Muzli Shala. Sipas të njejtit burim, pushimet falas për familjarët e punonjësve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës, përbëjnë një risi në kuadrin e kujdesit të qeverisë për këtë kategori. Listat e tyre hartohen në strukturat përkatëse të MB sipas kërkesave të vetë familjarëve, u shpreh drejtori Shala, i cili bëri të ditur se deri në mesin e muajit shtator në mjediset e kësaj Shtëpie do të kalojnë pushimet 10-ditore shtatë grupe me afro 160 familje gjithsej. Kushtet e tyre të pushimit nuk kanë asnjë ndryshim me familjet e punonjësve të tjerë të Policisë së Shtetit dhe të ministrisë së Brendshme që pushojnë në Durrës kundrejt pagesave të reduktuara. Gjatë stinës së verës në Kovaleshencën e MB, siç njihet më së shumti Shtëpia e Pushimit, që ndodhet 6 km në jug të qytetit të Durrësit, kalojnë pushimet rreth 400 familje në periudha 10-ditore./s.s./
KOMENTE