Durres: Qeveria, Mbeshtetje Per Reformat Ne Arsimin Universitar Dhe Autonomine E Tyre
-Kryeministri Sali Berisha merr pjese ne ceremoninë e diplomimit të 450 studenteve ne Universitetit "Aleksandër Moisiu" -
DURRES, 15 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Kryeministri Sali Berisha garantoi mbështetjen e qeverisë për reformat në fushën e arsimit universitar dhe veçanërisht për autonominë universitare sot në mbrëmje Durrës, në ceremoninë e diplomimit të 450 studentëve të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në pallatin sportit "Ramazan Njala".
Kryeministri Berisha tha se historia e zhvillimit të botës së përparuar ka provuar rëndësinë e autonomisë së universiteteve, si një atribut i lirisë dhe demokracisë.
"Katër vjet më parë, në universitetet tona mësonin 52 mijë studentë, ndërsa aktualisht numri i tyre ka arritur në 135 mijë", tha kryeministri Berisha. Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm, Berisha tha se "imagjinata dhe pasioni përbëjnë levat e Arkimedit me të cilat ju do të ngjisni shkallët e suksesit tuaj".
Duke kujtuar kohën kur u diplomua në 1967 në Universitetin e Tiranës, kryeministri Berisha u shpreh se është shumë e vështirë që ajo periudhë të konceptohet nga 20-vjeçarët e tanishëm.
"Arritjet janë pasojë e transformimeve epokale që shqiptarët realizuan pas vitit 1990", u shpreh Kreu i Qeverisë.
Ndërsa vlerësoi Universitetin "Aleksandër Moisiu", që po diplomon brezin e dytë të studentëve, kryeministri tha se "vitin e ardhshëm në këtë institucion, që zbaton 40 programe studimi dhe punon tërësisht me sistemin e Bolonjës, do të mësojnë 2 mijë studentë të rinj.
Sipas Berishës, "partneriteti publik-privat dhe përshtatja me tregun e punës janë çelsat e suksesit të universitetit të qytetit antik të Durrësit".
Kryeministri Berisha i uroi studentët, prindët dhe stafin akademik për këtë ditë të rëndësishme të diplomimit, që "është një dëshmi e suksesit të veçantë, kurorë e viteve më të bukura të jetës".
Në ceremoninë e diplomimit ndodheshin dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, deputetë, drejtues të pushtetit vendor, etj. I pranishëm në ceremoni, rektori i Universitetit të Foggias (Itali) prof. Giulioano Volpe, çmoi bashkëpunimin e ndërsjelltë mes dy universiteteve./a.ke/