English

Ekspedita Shqiptaro-Amerikane zbulon një anije mesjetare të mbytur në Himarë

Himarë, 15 korrik, NOA – Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve arkeologjike nënujore njofton se nëpërmjet robotit të anijes amerikane “Herkules” ka zbuluar relitin e një anije mesjetare të mbytur në brigjet e Himarës.

Ky relit arkeologjik është anija e vetme deri më tani e zbuluar në Shqipëri, që i përket një periudhe midis shek. 16-17 dhe zbulimi i tij, do të bëjë të mundur sjelljen e të dhënave të reja në historinë mesjetare të këtyre brigjeve.

Roboti i ekspeditës, i cili ka filmuar të gjithë zonën ku shtrihet anija e mbytur, ka sjellë pamjet e para mbi këtë zbulim duke konfirmuar se anija ka qenë e pajisur me topa të vendosura në të dyja anët e kuvertës së saj.

Po kështu, shikohet qartë se një spirancë me përmasa të mëdha gjendet pranë relitit arkeologjik duke konfirmuar edhe përmasat e mëdha që kjo anije duhet të ketë pasur.

Të dhënat e para që vijnë nga fotot e kryera nga roboti konfirmojnë faktin se anija e sapogjetur mund të ketë qenë pjesë e një flote ushtarake nëse do të kemi parasysh faktin e pranisë së topave në këtë anije.

Deri tani, jane zbuluar 5 topa të cilat të japin përshtypjen se anija ka qenë e mirëarmatosur dhe me përmasa mjaft të mëdha për kohën.

Arkeologët e ekspeditës arkeologjike mendojnë se me të dhënat paraprake që janë deri tani, mund të thuhet se anija mund të ketë qenë pjesë e një prej flotave më aktive në këto brigje gjatë periudhës që ajo datohet dhe respektivisht flotës veneciane, otomane por nuk përjashtohet edhe mundësia e flotës spanjolle.

Gjithsesi, zbulimi i kësaj anije mesjetare është mjaft i rëndësishëm pasi studimi i mëtejshëm i këtij reliti do të sjelle fakte të reja jo vetëm mbi llojet e anijeve që frekuentonin brigjet shqiptare në mesjetë, por edhe mbi ekspedita ushtarake që janë ndërmarrë ne brigjet e Himarës mesjetare.

Nga burimet e shkruara, janë të njohura disa prej ekspeditave ndëshkimore të ndërmarra nga flota otomane ndaj brigjeve të Himarës, por edhe disa beteja navale shumë të rëndësishme historike të zhvilluara jo larg këtyre brigjeve.

Kordinatori i kësaj ekspedite, Auron Tare, shprehet se zbulimi më i fundit sjell edhe një herë në vëmendjen e publikut shqiptar rëndësinë e madhe që do të ketë themelimi i një Muzeu të Arkeologjisë Nënujore, i cili do të pasqyrojë historinë e pasur të lundrimit shqiptar në shekuj.

n.e/NOA

KOMENTE