Eksperët E Be-Së Përfundojnë Misionin Teknik Në Tiranë
TIRANE, 15 Korrik/ ATSH- A.Gegvataj/.-Shërbimet e Komisionit Evropian, me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përfunduan sot misionin teknik në Shqipëri, në kuadër të procesit për liberalizimin e vizave.
Zyra e shtypit e KE-se në Tiranë bëri të ditur se "qëllimi i këtij misioni ishte verifikimi në terren për përparimin e bërë lidhur me tre kriteret e KE-së, të miratuar më 27 maj 2010, për heqjen e detyrimit të vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë".
Në deklaratën për shtyp thuhet se "duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Evropian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura".
Ky vlerësim do t'u paraqitet në muajin shtator Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë.
Liberalizimi i vizave afatshkurtra bën të mundur udhëtimin pa viza në Bashkimin Evropian deri në 90 ditë (për një periudhë gjashtë mujore) dhe nuk aplikohet për punësim.
Për qëndrime më të gjata ose për punësim, përsëri do të aplikohet për vizë dhe leje punësimi, e cila duhet marrë nga konsullata e vendit anëtar të Bashkimit Evropian ku është destinacioni./s.s./