Fajon:Të Gjendet Kompromisi Për Zgjidhjen E Krizës Politike
TIRANE, 15 Korrik/ ATSH- A.Gegvataj/. - "Duhet të gjendet një kompromis për zgjidhjen e krizës politike, pasi është shumë e rëndësishme që BE të shikojë te Shqipëria një vënd me demokraci të qëndrueshme", deklaroi në një intervistë për "Deutsche Welle", Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.
Europarlamentarja Fajon nënvizoi se "është shumë e rëndësishme që qeveria shqiptare të përpiqet të plotësojë kriteret teknike dhe të mendojë se çfarë ka përtej liberalizimit të vizave dhe të jetë e dedikuar ndaj procesit të integrimit europian".
Sipas saj, "Tirana zyrtare duhet të arrijë një kompromis për zgjidhjen e krizës politike, të sigurojë dialogun mes partive dhe një mjedis të stabilizuar politik në vend".
Fajon deklaroi se, procesi i liberalizimit të vizave është më shumë teknik sesa politik, por në fund merret një vendim politik, prandaj është i rëndësishëm një bashkëpunim i mirë, i ndershëm, rezultate reale në terren dhe stabilitet politik.
Europarlamentarja Fajon vuri në dukje se Shqipëria dhe Bosnja muajt e fundit kanë shënuar një progres të dukshëm dhe ne po presim një raport pozitiv të ekspertëve të KE-së që ndodhen në Shqipëri.
Një ditë më parë shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Lirinë dhe Sigurinë të KE-së, Luigi Soreca, gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, vlerësoi progresin e Shqipërisë për plotësimin e kritereve shtesë për liberalizimin e vizave, duke u shprehur se çdo gjë është në rrugën e duhur./s.s./