Fushatë Informimi Për Mbrojtjen Nga Temperaturat E Larta
TIRANË, 15 Korrik /ATSH/.-Në këto ditë të nxehta Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik janë angazhuar në një fushatë informimi për parandalimin e pasojave që mund të kenë në popullatë temperaturat e larta, karakteristikë e stinës së verës.
Fushata ndërgjegjësuese ka nisur me qendrat shëndetësore të kryeqytetit, në të cilat janë shpërndarë fletëpalosje me këshilla shëndetësore për ditët e nxehta, ndërsa në rrethe janë shpërndarë udhëzime për masat që duhen marrë për mbrojtjen nga dielli.
Fletëpalosjet udhëzojnë për masat parandaluese të pasojave të goditjes nga dielli, e cila shfaqet menjëherë pas ekspozimit në diell të kokës dhe qafës, kur janë të pambrojtura, duke shkaktuar sipas mjekëve, dhimbje koke shumë të forta, skuqje të fytyrës, dhimbje të syve, humbje ndjenjash, konvulsione, eksitim nervor dhe jo rrallë vdekjen.
Mjekët këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve pa përmbajtje kafeine, alkooli dhe sheqeri; qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar; banja të shpeshta me ujë të vakët; veshje me rroba të lehta me ngjyra të hapura dhe daljen në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.
Sipas këtyre udhëzimeve, për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë me probleme kardiovaskulare të hipertensionit dhe diabetikët, duhet një kujdesje e veçantë, e shoqëruar me vizita periodike tek mjeku.
Për qytetarët që janë të detyruar të dalin gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, këshillohet ecja në hije, mbajtja e kapeleve me strehë të gjerë, syze dielli cilësore me filtër mbrojtës dhe kremra mbrojtës për parandalimin e dëmtimit të lëkurës./e.gj/s.s./