English

Hida: Deklarata E Të Ardhurave Do Të Ndikojë Për Formalizimin E Ekonomisë

-Deklaron për ATSH, drejtori i politikave makro-ekonomike në ministrinë e Financave, Sybi Hida- TIRANE, 15 Korrik / ATSH-E.Xhajanka/- Ndryshimet në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", që u miratuan një ditë më parë nga qeveria, do të ndikojë për formalizimin e ekonomisë. Drejtori i politikave makro-ekonomike në ministrinë e Financave, Sybi Hida, në një intervistë për ATSH-në, vlerësoi projektligjin në fjalë si një hap të rëndësishëm për formalizimin dhe mbledhjen e të ardhurave tatimore, por sipas tij, këto ndryshime duhet të zbatohen pas realizimit të një amnistie fiskale. Hida thekson se, të gjithë tatimpaguesit shqiptarë ose jo, por që krijojnë të ardhura në Shqipëri, janë të detyruar të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave. Qeveria miratoi dje projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", në bazë të të cilave, do të tatohen si fitim, të ardhurat nga lojërat e fatit dhe ato nga trashëgimia. Deklaratën vjetore të të ardhurave, do ta bëjnë në bazë të këtyre ndryshimeve, tatimpaguesit individë, të vetëpunësuarit, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, jorezidentët, që realizojnë të ardhura në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ata detyrohen të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi. Përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar deklaratën vjetore të të ardhurave tatimpaguesit e vetëpunësuar e që kanë një qarkullim vjetor, deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë; tatimpaguesit individë, të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura vjetore, deri në shumën 200 000 (dyqind mijë) lekë. Përveç tyre, deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin t'a bëjnë, edhe pse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, si dhe nga personat që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj. Çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e letërnjoftimit të individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi që mbart detyrimin për të deklaruar me të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore. Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 (tre) muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme. Për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme për fëmijët e mitur dhe për personat në kujdestari, pjesa e deklaratës, që u përket shpenzimeve të tilla, plotësohet vetëm nga kryefamiljari. Mënyra e plotësimit nga kryefamiljari e deklaratës për pjesën e shpenzimeve të zbritshme, rregullohet me udhëzim të ministrit të Financave. Po kështu, sipas ndryshimeve dhe shtesave në ligj, tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep të dhëna për të ardhurat bruto, ku përfshihen: të ardhura bruto nga paga apo të ardhura të tjera nga marrëdhëniet e punësimit; të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimaritë e biznesit; të ardhurat bruto nga qiraja apo shitja e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme, në pronësi të deklaruesit apo edhe të ardhurat bruto nga interesa bankare./n.m/
KOMENTE