English

Irani dhe imperativi i mbrojtjes raketore

Për faktin se Irani po vazhdon të avancojë sistemin e vet raketor, administrata amerikane duhet të përgatisë plane emergjente për vendosje të shpejtë të mbrojtjes mobile për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara në planin e brendshëm dhe të jashtëm

Nga “Wall Street Journal”

Shërbimet informative amerikane tashmë parashohin që Teherani të zhvillojë raketat ndërkontinentale deri në vitin 2015. Me strategjinë aktuale, Perëndimi nuk do të jetë i aftë që t’i kundërvihet këtij kërcënimi.

Drejtori i CIA-s, Leon Paneta, më 27 qershor tha se mund të kenë mbetur vetëm dy vjet para se Irani të jetë i aftë për të kërcënuar shtetet tjera me potencialin e vet bërthamor të vendosur në raketat balistike. I pyetur për efektet e sanksioneve shtesë të nënshkruara nga presidenti Barak Obama, zoti Paneta është përgjigjur: “A do të heqë dorë Irani nga ambiciet e veta bërthamore pas kësaj mase? Sipas të gjitha gjasave jo”. Tre muaj më parë Agjencia Informative e Mbrojtjes raportoi se deri në vitin 2015, Irani me ndihmën e Koresë Veriore dhe të Rusisë, mund të aftësojë raketat ndërkontinentale balistike (ICBM), që do të mund të godasin bregdetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur një shtet është më aktivi në sponsorizimin e terrorizmit dhe liderët e saj mbështesin sloganet, siç janë “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”, kjo duhet të merret seriozisht. Në dhjetor të vitit 2009, prova raketore e Iranit kishte dëshmuar aftësinë e Teheranit për të goditur Izraelin. Duke pasur parasysh fanatizmin e presidentit Ahmedinexhad dhe të liderëve tjerë, ngritja e mburojës raketore balistike bëhet imperativ për SHBA-të. Pikërisht për këtë administrata e Bushit kishte propozuar ngritjen e mburojës raketore në Evropë, krahas asaj ekzistuese në Alaskë dhe Kaliforni. Mburoja do të ofronte mbrojtje shtesë për bregdetin lindor të SHBA-ve, për trupat amerikane jashtë vendit dhe për aleatët evropianë nga një sulm raketor i Iranit. Por, administrata e presidentit Obama në shtatorin e vitit të kaluar ka braktisur planin e ish-presidentit Bush dhe atë e ka zëvendësuar me një tjetër, me më pak aftësi që të ballafaqohet me kërcënimet kundër territorit të Shteteve të Bashkuara. Duke pasur parasysh kërcënimet në rritje që vijnë nga Irani, administrata e presidentit Obama duhet të rishikojë strategjinë e vet të mburojës raketore. Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin më shumë raketa mbrojtëse në Alaskë dhe duhet të gjejnë pozicione shtesë për pjesë të mburojës raketore në bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara, ose në Evropë. Për faktin se Irani po vazhdon të avancojë sistemin e vet raketor, administrata amerikane duhet të përgatisë plane emergjente për vendosje të shpejtë të mbrojtjes mobile për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Dhe, mbi të gjitha, administrata e Obamës duhet t’ia bëjë të qartë Senatit dhe Qeverisë së Rusisë se as marrëveshja e re amerikano-ruse dhe as zotimet e bëra gjatë procesit të bisedimeve, në asnjë mënyrë, nuk do t’i kufizojnë aftësitë tona për ta mbrojtur veten nga një sulm bërthamor i Iranit.

KOMENTE