English

Kapen dy të dyshuar në Morinë, kërkohen nga Interpoli gjerman dhe ai belg

Rinas, 15 Korrik, NOA - Zyra e Interpolit në Tiranë informon se në pikat e kalimit kufitar të Morinës dhe asaj të Rinasit, është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viesbaden dhe tjetri nga Interpol Brukseli.

Lajmi i bërë me dijeni nga forcat policore për agjencinë e Lajmeve NOA konfirmon se të ndaluarit janë përkatësisht Ferit Siridolli, 46 vjeç, nga Kosova, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viesbaden, pasi gjykata e Gjermanisë 7 vjet më parë e ka dënuar për kryerjen e veprës penale të "Përdhunimit dhe heqjes së lirisë së tjetrit", parashikuar nga nenet 177, 239. 240, 52 dhe 53 të Kodit Penal gjerman.

Si rezultat i implementimit të sistemit të kërkimit të Interpol-it ASF në sistemin TIMS JAVA, u bë i mundur arrestimi i këtij personi në pikën e kalimit kufitar të Morinës, pasi nga verifikimi i kryer në këtë sistem, ai rezultonte person në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkaq, gjatë kontrollit në aeroportin e Rinasit është kryer arrestimi i qytetarit italian, Italo Gigante, 57-vjeç, nga Ruoti.

Nga verifikimi i kryer në sistemin e kërkimit të Interpol-it, ASF, ai ka rezultuar i kërkuar në nivel ndërkombëtar nga Interpol Brukseli.

Ndaj tij është lëshuar urdhri i arrestit tre vjet më parë nga gjykata së Shkallës së Parë Bruksel, për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv dhe aktiv falsifikim dhe përdorim dokumentesh të vjedhura, pastrim të fondeve kriminale”, parashikuar nga nenet 193, 194, 195, 196, 197, 213, 214, 246, 247, 250, 251, 252 dhe 505, të Kodit Penal belg.

Materialet përkatëse për këta dy persona do t’i kalojnë prokurorisë së Përgjithshme dhe ministrisë së Drejtësisë, me qëllim fillimin e procedurave për arrestimin me qëllim ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë dhe Brukselit.

n.e/NOA

KOMENTE