Kina Druhet Nga Përmbytjet E Mëdha, Në Japoni Evakuohen 300 Mijë Persona Për Shkak Të Shirave Të Rrëmbyeshëm
PEKIN, 15 korrik 2010 /ATSH-MIA/ - Ekspertët kinezë druhen se rajonet përgjatë bregut të lumit Janx mund të përmbyten, shkruajnë sot mediat kineze.
Përmbytje, të shkaktuara nga shira të rrëmbyeshëm në pjesën jugore të Kinës, mund të përsërisin skenaret e vitit 1998, ku humbën jetën 4000 njerëz.
Këtë vit përmbytjet në Kinë kanë shkaktuar vdekjen e 400 personave, kurse 200 konsiderohen si të zhdukur. Janë rrënuar 590 mijë shtëpi, janë përmbytur 6.16 milionë hektarë pyje dhe sipërfaqe bujqësore, ndërsa të rrezikuar janë 97.5 milionë persona në 26 provinca kineze.
Vëzhgimet në lumin Janx tregojnë se gjendja e ujit e ka kaluar nivelin mesatar për këtë periudhë të vitit.
Në rajonin e liqenit artificial "Tre grykat", niveli i lumit Janx arriti 150 metra, pesë metra mbi nivelin maksimal, çka tregon rrezik për përmbytje.
Deri tani përgjatë lumit Janx kanë ndodhur tre përmbytje të rënda, në vitin 1975, në vitin 1983 dhe në vitin 1998, të gjitha në muajt korrik dhe gusht.
Ndërsa në Japoni autoritet po përgatisin evakuimin e 300 mijë personave, pasi meteorologët parashikuan rreshje të rrëmbyeshme në pjesën perëndimore dhe lindore të vendit.
/e.v/