Korçe- Rikthehet Tradita E Gdhendjes Në Gur
KORÇË, 15 Korrik / ATSH / Behar Fejzulla/.- Bashkia e Korçës po zbaton një projekt për të shtruar me kalldrëm të gjitha rrugët që kanë qenë tradicionalisht të tilla dhe që shtrihen kryesisht në lagjet 1, 2, 3, 11 dhe 12.
Kalldrëmet e vjetra në këto lagje kanë qenë të degraduara dhe në shumë vende të shkatërruara për shkak të viteve, lëvizjes së automjeteve, por edhe punimeve për vendosjen e tubacioneve të kanalizimeve të ujrave të zeza. Në këto lagje, tha kryetari i bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ka nisur puna dhe do të shtrohen 100 mijë metra katërore kalldrëme.
Në lagjet 11 dhe 12, që prej disa javësh po punon për shtrimin me kalldrëm të rrugëve, firma "ALbstar" nga Fieri. Brigada e kalldrëmxhinjve, që është e ndarë në pesë grupe, ka përfunduar katër rrugë dhe vazhdon punimet edhe në katër të tjera. Tekniku i punimeve, Agron Limaj, tha se këtë herë guri është më cilësor se i pari, pasi është më i fortë. Më parë guri ishte vendosur pa gdhëndur në formë zalli, kurse tani ai është i sharruar nga katër anë, është me përmasa të barabarta dhe nga faqja e sipërme gëdhëndet me cmilar nga kalldrëmxhinjtë.
Kalldrëmxhiu Raif Medolli, i cili e ushtron këtë profesion prej 25 vjetësh dhe ka punuar për shtrimin e kalldrëmeve në Berat e Gjirokastër, thotë se guri që po punonin për nga bukuria i ngjante mermerit, por ishte shumë i fortë dhe i punueshem nga cmilari. "Zbukurimet me punë me gur që kanë shtëpitë, kapitolet e gdhëndura nga mjeshtra të mëdhenj dhe çdo gdhëndje në gur, shkon për mrekulli me kalldrëmet e rrugëve dhe trotuareve që po latohen me cmilar", thotë Medolli, ndërkohë që Ramadan Kodra shpreh bindjen se këto rrugë nuk mund të prishen më, as për 100 vjet, pasi para se të bëhet kalldrëmi, dheu gërmohet dhe hidhen tri shresa me nga 20 cm zhavor, granil dhe stabilizant.
Banorja e lagjes 12, Shpresa Bardhi, shprehet se prej vitesh rrugët kishin qenë plot gropa dhe baltë dhe se kalldrëmet ishin mjaft cilësore, ndërsa Andrea Velo, banor i kësaj lagjeje, tha se shtëpia e tij e gdhëndur me gur dhe zbukurime guri, tani dukej më e bukur.
Veç shtrimit të rrugëve me kalldrëm, Korça po ripërtrit edhe një traditë të gdhëndjes së veprave të artit në gur.
Kështu, vetëm pak ditë më parë përfunduan tetë skulptura të gdhëndura në gur nga tetë skulptorë nga disa vende të botës, që kishin fituar konkursin për projektin "Skulpturat e Parkut 2010". Ky konkurs është realizuar për tre vjet rresht dhe, tashmë në parkun "Rinia" të Korçës janë vendosur 24 skulptura guri, me synimin që ky projekt të vazhdojë edhe për dy vjet të tjera dhe të realizohet galeria e hapur e skulpturës moderne e Parkut "Rinia".
Për ruajtjen e traditës së gdhendjes në gur dhe të monumenteve të kulturës, po zbaton disa projekte edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Korçë. Kështu, sipas drejtorit Artan Buzo, pas rikonstruksionit të fasadave të tre banesave në Pazarin e Korçës dhe të disa banesave monument kulture në lagjet e vjetra të këtij qyteti, po zbatohen tre projekte për rikonstruksionin e objekteve monument kulture, ku skalitja në gur, është një nga kërkesat kryesose të rikonstruksioneve. Sipas tij, në përfundim është rikonstruksioni i i jashtëm i godinës së Muzeut Arkeologjik në qytetin e Korçës, rikonstruksioni i bazilikës së Linit dhe së shpejti do të nisin punimet edhe për rikonstruksionin e Manastirit të Shën Prodhonit në Voskopojë.
Rishtrimi i rrugëve të Korçës me kalldrëme bëhet me një financim prej 5 milionë euro, nga të cilat 3.5 milionë nga Banka Gjermane KFW dhe 1.5 milionë euro nga bashkia e Korçës. Po kështu, projekti i skulpturave të parkut për vitin 2010 u financua me 8 milion lekë nga bashkia, ndërsa projektet për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik dhe të Manastirit të Shën Prodhonit, financohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me rreth 45 milion lekë./s.s./