Kosovë - Thaçi: Politika E Qeverisë Për Veriun E Vendit Është Shumë E Qartë
PRISHTINË, 15 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se politika e Qeverisë së tij edhe për veriun e vendit është shumë e qartë - respektimi i plotë i Kushtetuës dhe i ligjeve të Republikës së Kosovës dhe dokumentit të Presidentit Ahtisaari.
"E para ka qenë dhe është ushtrimi gradual i ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës", tha ai në seancën plenare të Kuvendit, duke u përgjigjur një pyetjeje të deputetëve.
Kryeministri shtoi se Qeveria e Kosovës e ka hapur zyrën në veri të Mitrovicës, e cila sot funksionon në shërbim të të gjithë qytetarëve të gjitha komuniteteve etnike, pa dallim.
Ai paralajmëroi se do vazhdohet me projektet e rëndësishme për formimin e komunës së re të Mitrovicës veriore, dhe po ashtu për organizmin e zgjedhjeve të lira në tri komunat e tjera veriore - Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok, si dhe në investimet social ekonomike.
"Ky është projekti ynë, kjo është strategjia jonë, e koordinuar ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë", theksoi Kryeministri Thaçi./s.s./