Kryeministri Thaçi do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në SHBA – do të takohet me zëvendëspresidentin Joseph Biden
Prishtinë, 15 korrik 2010 NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi javën e ardhshme do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi në Shtëpinë e Bardhë do të zhvillojë një takim me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, kryeministri Thaçi do të ketë takime në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin e SHBA-ve, ndërsa do të pritet në takime të nivelit të lartë edhe nga udhëheqësit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Po ashtu, kryeministri Thaçi në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbajë ligjëratë me temën “Ndërtimi i së Ardhmes Euro-Atlantike të Kosovës: Sfidat dhe Mundësitë Para Nesh”.
a.b/NOA