Kuvend/ Ruçi: Përgjegjësit E Masakrës Së Tivarit T'I Gjejë Kosova
TIRANË, 15 Korrik/ATSH/.- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të opozitës kundërshtoi sot në Kuvend ngritjen e komisionit hetimor për masakrën e Tivarit, duke kërkuar që për këtë ngjarje të hetojë shteti i ri i Kosovës.
Para votimit në parlament të projektvendimit për ngritjen e një komisioni hetimor, që do të punojë për zbardhjen e kësaj ngjarje tragjike të ndodhur në vitin 1945, deputeti Ruçi në emër të grupit të PS-së, tha se 'objekt i hetimit nga komisioni do jetë një ngjarje e ndodhur në një vend që nuk i përket territorit të Republikës së Shqipërisë".
"Bashkëkombasit tanë më së fundi kanë një shtet të tyre, në të cilin kanë gjithë sovranitetin të organizojnë dhe të ndërmarrin nisma dhe të vendosin për fatin e shtetasve të tyre, qoftë për historitë e vjetra, apo për ato të reja. Ju kërkoj të mos bëni politikë me jetën e të masakruarve të kombit tonë", deklaroi Ruçi.
Ai kërkoi që t'i dalim për zot territorit që mbulon shteti shqiptar dhe jo territorit të një shteti tjetër dhe të kontribuojmë ne nënshtetasit shqiptarë që të respektojmë shtetin e ri kosovar, që tashmë është një realitet, për t'u dhënë përgjigje të gjitha problemeve të nënshtetasve të vjetër ose të rinj.
"Mos merrni veprime të pamatura që minimumi mjegullojnë dhe maksimumi shfaqësojnë nga përgjegjësitë historike dhe penale të kombeve dhe shteteve të tjera, që historikisht, në shekullin e kaluar sidomos, kanë qënë armiq të shtetit shqiptar dhe të gjithë kombit shqiptar", tha kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.
Pas deklarimit të qëndrimit të grupit parlamentar socialist për ngritjen e këtij komisioni hetimor, deputetët e opozitës u larguan nga salla e Kuvendit, duke bojkotuar edhe votimin e projektligjeve të parashikuara në seancën e sotme. /a.s//n.m/