English

Marrëveshje Për Konventën E Të Drejtave Të Personave Me Aftësi Të Kufizuara

TIRANË, 15 Korrik /ATSH/-Integrimi i personave me aftësi të kufizuar vazhdon të mbetet një nga sfidat permanente sociale dhe një prioritet i institucioneve shtetërore përgjegjëse për njohjen e garantimin e të drejtave të tyre si dhe trajtimin si pjestarë të barabartë të shoqërisë, tha sot Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Ai firmosi sot një marrëveshje të përbashkët me Përfaqësuesen e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Gulden Turkoz-Cosslet për Ratifikimin e Konventës së OKB për të Drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Ky dokument bazohet në realizimin e një Programi dy-vjeçar mbështetës për strukturat qendrore, vendore dhe shoqërinë civile për realizimin e ratifikimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ratifikimi i konventës merr një rëndësi të veçantë në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut, por edhe në kuadër të procesit të integrimit Evropian të vendit, pasi Komunitetet Europiane e kanë nënshkruar këtë Konventë në vitin 2007 dhe një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare të BE-së tashmë edhe e kanë miratuar. Me përfundimin e miratimit të Konventës nga të gjitha vendet anëtare dhe nga BE-ja, Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar do të bëhet pjesë e legjislacionit europian dhe e të gjitha vendeve anëtare dhe atyre aspirante. Në dhjetor të vitit 2009, Qeveria shqiptare ndërmori hapin e rëndësishëm të nënshkrimit të KDPAK-së dhe tashmë po përballet me detyrën e shqyrtimit se deri në çfarë pike legjislacioni, politikat, strukturat institucionale dhe realiteti mbështesin objektivat e Konventës, çfarë duhet ndryshuar dhe përmirësuar për t'i hapur rrugën ratifikimit. Qeveria ka krijuar një grup pune ndërministror për të punuar për ratifikimin e Konventës. Sipas Ministrit Ksera "Nënshkrimi i Konventës i hapi rrugë fillimit të procesit të ratifikimit, proces i cili po ecën në rrugën e duhur". "Rishikimi i direktivave ligjore dhe institucionale për përputhshmërinë e ambjenteve, në përputhje me Konventen e OKB-se për PAK si dhe realizimi i përshatshmërisë së ambienteve, sipas Ministrit të Punës, do të sjellë krijimin e autonomisë individuale dhe të drejtën e përdorimit të shërbimeve bazë nga PAK". Sipas përfaqësues së OKB, Cosslet, "veprimtaritë e projektit frymëzohen dhe përputhen plotësisht me parimet e OKB dhe BE për promovimin e mundësive të barabarta dhe mosdiskriminimin e personave me aftësi të kufizuara"./e.gj/
KOMENTE