Manastir, 15 Korrik, NOA /Mehmet Latifi - Nga informacionet që mora nga Manastiri dhe nga SHHSHM, nga Këshilli për Themelimin e Muzeut të Alfabetit në Manastir, respektivisht, nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, është bërë kërkesa për regjistrimin e këtij Institucioni kulturor në Maqedoni, por kërkesa është refuzuar nga Regjistri Qendror, për shkak të Statutit të përpiluar ku figuron edhe gjuha shqipe, që për burokracinë maqedonase nuk preferohet dhe nuk lejohet të figurojë si gjuhë zyrtare as në dokumentet zyrtare e as në vulën e Institucionit Muzeu i Alfabetit në Manastir.
Shtëpia e Alfabetit në Manastir shndërrohet në Muze Kombëtar-Muzeu i Alfabetit, nën përkujdesjen e qeverisë-Ministrisë së kulturës së RM-së! Ishte ky sihariq për të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, që kjo shtëpi-ky objekt të shndërrohet në Muzeun e Alfabetit në Manastir. Për rëndësinë dhe vlerat e këtij objekti nuk ka nevojë për koment.
Mjafton të rikujtojmë fjalët e zv/kryeministrit Abdylaqim Ademit, në shënimin e 100 Vjetorit të Kongresit të dytë të Alfabetit, në fillim të muajit prill të këtij viti, ku mes tjerash theksoi: “Manastiri për 100 vjet ishte në shënjestër për të zbehur dhe zhdukur vlerat e kulturës shqiptare.
Por ky qytet i konsujve dhe i Kongresit të Alfabetit, arriti ta ruaj këtë vlerë”.
Qyteti i konsujve, qyteti i Alfabetit, gjatë vizitës së djeshme duket paksa i zymtë, paksa jodinjitoz, paksa jo krenar, paksa i lënë pas dore nga vetë ne shqiptarët e të mos flitet për institucionet shtetërore që duhet të vënë dorë.
Vizita e djeshme në Manastir dhe konkretisht vizita që i bëmë Shtëpisë së Alfabetit- Muzeut të Alfabetit në Manastir ishte e dhimbshme dhe dëshpëruese.
Ishte dëshpëruese për vetë faktin se që nga përfundimi i shënimit të 100 Vjetorit të Kongresit të Dytë, ( në fillim të muajit prill 2010), askush më nuk kishte shkelur në këtë objekt, askush nuk e kishte hapur derën e Muzeut të Alfabetit në Manastir.
Mbase si dëshmi mund të shërbejë edhe fakti se në pragun e derës hyrëse të Muzeut të Alfabetit në Manastir, jo vetëm që kishte vegjetuar, por edhe ishte rritur bari. Pos kësaj, pronari i shitores (depos) së pllakave të qeramikës që ndodhet po në këtë objekt me keqardhje deklaroi: “Që nga koha kur është mbajtur njëfarë ceremonie, askush më nuk ka ardhur në këtë objekt. Janë marrë të gjitha eksponatet dhe nuk e dijë se ku janë sistemuar, por këtu askush nuk ka ardhur dhe nuk vjen”.
Janë të dhimbshme pamjet, imazhet dhe fotografitë për mua personalisht dhe besoj për çdo Shqiptar, por nuk më habitin veprimet e zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë por më së shumti më befasojnë shqiptarët-qytetarët e rëndomtë të Manastirit të cilët po kalojnë para derës së harruar të kësaj shtëpie më të rëndësishme të historisë tonë, që atypari kalojnë me mijëra herë në ditë dhe nuk ndalojnë për një çast që së paku të pastrojnë barin nga hyrja. Më mbetet që të përpiqem të kontaktoj disa shokë e miq, që të kujdesen për këtë gjë të pazakonshme, sepse këto imazhe janë jo vetëm të dhimbshme por edhe të turpshme për të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata.
Nga informacionet që mora nga Manastiri dhe nga SHHSHM, nga Këshilli për Themelimin e Muzeut të Alfabetit në Manastir, respektivisht, nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, është bërë kërkesa për regjistrimin e këtij Institucioni kulturor në Maqedoni, por kërkesa është refuzuar nga Regjistri Qendror, për shkak të Statutit të përpiluar ku figuron edhe gjuha shqipe, që për burokracinë maqedonase nuk preferohet dhe nuk lejohet të figurojë si gjuhë zyrtare as në dokumentet zyrtare e as në vulën e Institucionit Muzeu i Alfabetit në Manastir.
Megjithatë, kjo nuk amniston askënd, as zyrtarët shqiptar, as shqiptarët manastiras, as shqiptarët kudo qofshin, për neglizhencën dhe pakujdesinë e papërgjegjshmërinë e treguar ndaj kësaj shtëpie, Shtëpisë së Alfabetit në Manastir, kur edhe më 1910 Klubi “Bashkimi” ka mundur të veprojë e të organizojë Kongresin e Dytë të Alfabetit, kam bindjen se edhe sot në këto rrethana ka mundësi që të kujdesemi pak për këtë vend të shenjtë të shqiptarëve.
NOA-INA