Opec Parashikon Rritje Të Kërkesës Për Naftë Në Vitin 2011
VJENË, 15 korrik 2010 /ATSH-MIA/ - Organizata e shteteve eksportuese të naftës (OPEC) njoftoi sot se pret që gjatë vitit të ardhshëm të ketë "një rritje modeste" të kërkesës globale për "arin e zi", paralelisht me rimëkëmbjen e ekonomive kombëtare nga kriza financiare.
OPEC-u parashikon që gjatë vitit 2011 kërkesa globale e naftës të rritet për një milionë fuçi në ditë.
Sipas organizatës, rritja e kërkesës globale të naftës në masë të madhe do të jetë meritë e kërkesës së rritur për energji në Kinë, Indi dhe vendet e Lindjes së Afërt dhe Amerikës Latine.
Konsumatori më i madh botëror i energjisë, SHBA-ja, sërish do të fillojë të shënojë rritje të kërkesës për benzinë, por edhe më tej mbetet "pasiguri e madhe rreth shpejtësisë së kësaj rritjeje", vlerësohet në parashikimin e OPEC-ut.
Agjencia ndërkombëtare e energjisë (IEA) para dy ditësh publikoi parashikimin se në vitin 2011 kërkesa globale e naftës do të rritet me 1.3 milionë fuçi në ditë.
/e.v/