English

Policia E Tiranës: Prioritet Lufta Ndaj Krimit Te Organizuar Dhe Ekonomik

TIRANE, 15 Korrik/ATSH/ -Policia e Tiranës shpalli sot si prioritet të saj, thellimin e luftës kundër krimit, sidomos atij të organizuar dhe ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit gjatë analizës 6-mujore të punës. Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kulicaj evidentoi disa nga prioritetet kryesore të punës për vitin 2010 si rritja e nivelit të luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti si dhe rritja e standardeve të policimit duke synuar rritjen e sigurisë dhe cilësinë e rendit etj. Kuliçaj shprehu rëndësinë e reformës në Policinë e Shtetit duke theksuar se, ndryshimet në strukturë e riogranizimi në personelin e Policisë, u ideuan dhe u realizuan për të sjellë cilësi më të lartë në Policinë e Shtetit, për të bërë të mundur përzgjedhjen e personelit e për të vlerësuar individët e aftë profesionalisht për kryerjen me cilësi të punës, si në drejtim të krimit të organizuar ashtu dhe në drejtim të forcës më të lartë zbuluese, kryesisht për krimet kundër pronës. Zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit u ndal tek problematika në punën e Policisë, duke shprehur shqetësim për krimet kundër pronës. "Shqetësim i veçantë për policinë në përgjithësi, këtë vit kanë qënë vjedhjet e pronës, të cilat vazhdojnë të jenë problematike për zona të caktuara, sidomos vjedhjet e banesave, bankave, vjedhjet e lokaleve, tha Kulicaj, duke lajmëruar ndryshim të strategjisë së luftës kundër krimit të pronës me qëllim rritjen e rezultateve. "Ndryshimi strategjisë do të përfshijë parashikimin e gjithë opsioneve të mundshme për përmirësimin e manaxhimit të drejtimit të punës kundër krimeve ndaj pronës, tha ai. Gjatë analizës u theksua puna e bërë në zbatim të Programit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Strategjisë së Policimit e Sigurisë në Komunitet në Qarkun e Tiranës për sigurimin e rendit dhe të qetësisë, parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale. Sipas raportit zyrtar, në territorin e Qarkut Tiranë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2010, janë referuar 2764 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 2264, ose 82% e tyre. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 2757 autorë, ndaluar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 671 autorë, proceduar në gjëndje të lirë 1945 autorë, janë shpallur në kërkim 141 persona. /a.m//n.m/
KOMENTE