Pr/Rezoluta E Pe-Beja: Hap I Ri Për Liberalizimin E Vizave Për Shqipërinë
TIRANË, 15 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Kryetari i komisionit të jashtëm parlamentar, Fatos Beja, përshëndeti sot projekt-rezolutën për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, që u shqyrtua së fundi në Komisionin për Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian.
Gjatë debatit të lirë në seancën plenare të Kuvendit, Beja tha se "projekt-rezoluta e propozuar nga eurodeputetja Tanja Fajon është një hap i ri për liberalizimin e vizave".
"Kjo rezolutë tregon mbështetjen për Shqipërinë. Tashmë ekspertë të BE-së po verifikojnë në terren kushtet e plotësuara për vizat", tha ai.
Sipas Bejës, kjo projekt-rezolutë vjen në vijim të rezolutës së PE-së që dëshmoi mbështetjen për Shqipërinë dhe letrës së Kryetari i LIBE-s, Lopez Aguilar, drejtuar Ministres së Brendshme, Annemie Turtelboom dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Belgjikës, Steven Vanackere, vend i cili mban presidencën e radhës së BE-së, ku kërkohet heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Euro-deputetja Tanja Fajon propozoi dy ditë më parë në komisionin për Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian (LIBE) liberalizimin urgjent të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Raportuesja për vizat në PE, Tanja Fajon, ka hartuar një draft-rezolutë, e cila i kërkon Komisionit, që në shtator të bëjë propozimin për liberalizimin e vizave, duke vënë në dukje progresin e arritur nga të dy vendet.
"BE ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces, pasi është paradoksale që pas më shumë se 20 vitesh, nga rënia e Murit të Berlinit, ende kemi "murin e vizave"ndaj fqinjëve tanë", nënvizohet në projektin e Fajon.
/s.s./