Prifti:Ps Manipulon Faktet Për Pasurinë Time
E
TIRANE, 15 Korrik/ ATSH- A.Gegvataj/. - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cilësoi si shpifje akuzat e opozitës në lidhje me deklarimin e pasurisë së tij.
Gjatë seancës së sotme plenare në parlament ministri Prifti tha se "opozita ka manipuluar faktet dhe se pasuria ime mund të vërtetohet".
Ai deklaroi se janë shitur 30 për qind e aksioneve që familja e tij ka patur në një kompani biznesi, i filluar në 2007, kur ai ishte në opozitë.
"Por PS thotë se unë nuk i kam deklaruar këto aksione, gjë që e kam bërë në deklarimin e pasurisë së 2008-ës dhe këto deklarime origjinale janë në dosje, çka vërteton se ajo që thotë opozita është vetëm dashakeqësi", tha ai.
Duke nënvizuar se nga shitja e aksioneve ka marrë 500 mije euro, ndërsa shuma prej 1.5 milion euro do merret në hark kohor prej dy vitesh, Prifti pohoi se i shiti aksionet për të qënë korrekt me ligjin.
"Aksionet janë shitur me vlerë më të ulët se sa vlera minimale dhe vetëm për të qënë korrekt me ligjin dhe për të mos shkelur asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë", deklaroi Prifti.
Ministri i Ekonomisë akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se nuk ka bërë deklarim të pasurisë së tij.
"A ka shqiptar të besojë që Edi Rama thotë në deklaratën e tij të pasurisë se është i pastrehë dhe se ka vetëm 3 mijë euro pasuri në bankë", tha ai para deputetëve. Sipas Priftit, "vetëm 3 mijë euro kushton substanca që ai thith me hundë çdo ditë".
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ftoi ILDKP të hetojë jo vetëm çdo qindarkë të pasurisë së tij, por edhe pasurinë e kryesocialistit Edi Rama, nga vila në Durrës deri tek qindra apartamente që ai ka në Tiranë./s.s./