Tiranë, 15 Korrik, NOA – Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, në të njëjtën kohë ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, ka shkaktuar reagimin e ashpër të deputetëve socialistë, ndërsa ka kritikuar kreun e tyre se merret me pasurinë e tij, në të njëjtën kohë që ai fsheh miliarda lekë.
“Si mund të akuzojë një njeri që nuk tregon në është burrë apo grua, që nuk tregon hapur orientimin e tij seksual, apo që 3 mijë euro në ditë i kushon vetëm doza që thith?”, ka qenë akuza e ngritur publikisht nga foltorja e Kuvendit, prej deputetit Prifti ndaj kreut të Partisë Socialiste.
Kanë qenë pikërisht këto fjalë që i kanë nxehur së tepërmi deputetët e opozitës të pranishëm në sallën e Kuvendit.
Më tej, gjatë fjalës së tij, ministri Dritan Prifti ka dhënë detaje për deklaratën e tij të pasurisë, dhe duke tundur gazetën e selisë rozë “Zëri i Popullit”, ka thënë se të gjitha ato që shkruhen brenda saj për pasuritë e vërteta të tij të padeklaruara, nuk janë gjë tjetër, veçse trillime.
“Po, kam qenë aksioner i një shoqërie, por në momentin që u bëra ministër i shita aksionet që kisha brenda saj, pasi do të bija ndesh me ligjin dhe ajo që mua më intereson në radhë të parë është vetëm respektimi i tij”, sqaroi Prifti lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar se ndryshe nga ai, deklarata e pasurisë së kreut të socialistëve, Edi Rama, përmban gjëra të paqena, pasi ajo pohon se fle me nënën, në një kohë që sipas Priftit, ai ka “200 apartamente në Tiranë”.
n.e/NOA