Ps: Shkruhet Padia Ndaj Priftit
TIRANE, 15 Korrik/ATSH/ Partia Socialiste reagoi sot lidhur me akuzat e bëra nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti ndaj kreut të PS-së Edi Rama, në seancën e sotme pelenare të Kuvendit.
"Sot ka nisur të shkruhet padia për Dritan Priftin, tha në një deklaratë për mediat pasdite, zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, që i cilësoi akuzat e ministrit Prifti si të pavërteta dhe si një përpjekje e tij për t'iu shmangur pyetjes së opozitës sesi e ka vënë pasurinë.
"Kjo pyetje kërkon përgjigje dhe Dritan Prifti nuk i ikën dot të vërtetës duke gjuajtur me baltë opozitën. Shqiptarët që e vuajnë përditë krizën e rëndë ekonomike, duhet të mësojnë të vërtetën e pasurimit marramendës të Ministrit të Ekonomisë në krizë", tha zëdhënësja e PS-së.
Reagimi i PS-së vjen vetëm pak orë pas deklaratës së ministrit Prifti lidhur me pasurinë e tij në seancën e sotme plenare të Parlamentit, ku i cilësoi si shpifje akuzat e opozitës për këtë çështje.
Ministri Prifti tha se, "opozita ka manipuluar faktet dhe se pasuria ime mund të vërtetohet", ndërsa deklaroi se janë shitur 30 për qind e aksioneve që familja e tij ka patur në një kompani biznesi, i filluar në 2007, kur ai ishte në opozitë.
"Por PS thotë se unë nuk i kam deklaruar këto aksione, gjë që e kam bërë në deklarimin e pasurisë së 2008-ës dhe këto deklarime origjinale janë në dosje, çka vërteton se ajo që thotë opozita është vetëm dashakeqësi", tha ai.
Duke nënvizuar se nga shitja e aksioneve ka marrë 500 mije euro, ndërsa shuma prej 1.5 milion euro do merret në hark kohor prej dy vitesh, Prifti pohoi se i shiti aksionet për të qënë korrekt me ligjin.
Në këtë deklaratë, ministri i Ekonomisë akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se nuk ka bërë deklarim të pasurisë së tij. "A ka shqiptar të besojë që Edi Rama thotë në deklaratën e tij të pasurisë se është i pastrehë dhe se ka vetëm 3 mijë euro pasuri në bankë", tha ai para deputetëve.
Sipas Priftit, "vetëm 3 mijë euro kushton substanca që ai thith me hundë çdo ditë". Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ftoi ILDKP të hetojë jo vetëm çdo qindarkë të pasurisë së tij, "por dhe pasurinë e kryesocialistit Edi Rama, nga vila në Durrës, deri tek qindra apartamente që ai ka në Tiranë". /a.m//n.m/