Tiranë, 15 korrik, NOA - Ministria e Brendshme dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri, në bashkëpunim me Organizatën Meteorologjike Botërore (WMO), paraqitën Dialogun për Politikën Kombëtare mbi Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave Natyrore (RRKN).
Konferenca dyditore, një aktivitet i “Programit Rajonal për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave Natyrore në Evropën Juglindore”, mblodhi së bashku përfaqësues të lartë nga Drejtoria e Emergjencave Civile, Instituti i Energjetikës, Ujit dhe Mjedisit, Shërbimet Meteorologjike Ushtarake, Instituti i Gjeoshkencave, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Arsimit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes, Organizatat e Shoqërisë Civile dhe donatorë ndërkombëtarë.
Ferdinand Poni, zv/ministër i Brendshëm, i cili mori pjesë në konferencë, midis të tjerash theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar dhe është duke marrë vendimet e duhura për të kaluar nga menaxhimi i situatave të emergjencave në menaxhimin e reduktimit të riskut të situatave emergjente si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit institucional kombëtar dhe ndërkombëtar në këtë sektor.
Ndwrsa Norimasa Shimomura, drejtor i PNUD-it, u shpreh se qeveria shqiptare ka bërë mjaft përpjekje për të siguruar arritjen e objektivave të përfshira ne Planin për Veprim të Hyogo.
“Vazhdimësia e lidershipit të qeverisë në këtë proces është thelbësore për zbatimin e suksesshëm të rekomandimeve për të cilat do të biem dakord sot si dhe për të angazhuar komunitetin e donatorëve t’i mbështesin ato në mënyrë koherente”, shtoi ai.
Pjesëmarrësit ranë dakort për një sërë rekomandimesh për përmirësimin e koordinimit institucional për menaxhimin dhe politikat mbi RRKN-në, për forcimin e kapaciteteve institucionale, përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive të institucioneve të ndryshme të përfshira, si dhe përshkruan rolin e Shqipërisë në ngritjen e një kuadri bashkëpunimi rajonal për menaxhimin e RRKN-së.
n.e/NOA