Tiranë, 15 Korrik 2010 NOA – Personi i arrestuar brenda ambasadës amerikane, Almir Rrapo, i ka drejtuare një letër ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, XHon Uidhers (John L. Withers II), duke e konsideruar si person fajtor për arrestimin që iu bë “duke u shkelur çdo e drejtë e imja, çdo princip ndërkombëtarisht i pranuar mbi veprimtarinë diplomatike dhe konsullore e mbi të gjitha, ju shkaktua pasojë e rëndë emrit tim, familjes sime dhe njerëzve pranë të cilëve punoja, jo për faj të tyre”.
Rrapo paralajmëron se “kjo letër publike përbën hapin e parë konkret timin si shtetas, për rikuperimin sado pak të këtij imazhi, por njëkohësisht, ajo synon, të kontribuojë nëpërmjet reagimit tuaj, qoftë ky i heshtur ose jo, në provueshmërinë e këtij fakti të paprecedentë, ku në mënyrë të papërgjegjshme dhe tërësisht të panevojshme, është lejuar, madje nxitur, përdorimi i territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kryerjen e operacioneve policore të një shteti tjetër”.
Duke iu drejtuar me tone të ashpra dhe duke e konsideruar ambasadorin amerikan së fajtor të pafalshëm në atë që iu shkaktua z.Rrapo, letra thekson: “Unë nuk kam qenë një person i arratisur zoti Withers! Sjellja ime, në asnjë rast, nuk ka qenë ajo e një njeriu që i fshihet drejtësisë. Më shumë se një herë, për shkak të punës që kam bërë, unë jam takuar me nëpunës të administratës amerikane, me punonjës të autoriteteve shqiptare, të policisë dhe luftës kundër krimit dhe në asnjë rast nuk e kam fshehur identitetin tim apo të dhënat e mia të kontaktit. Gjatë kohës së qëndrimit tim në Shqipëri, gjithë këto vite, unë kam bërë një jetë normale, jam arsimuar, kam shkruar me identitetin tim, jam pajisur me dokumente nga më të ndryshmet të cilat mbajnë emrin tim, kam udhëtuar normalisht jashtë vendit dhe jam kthyer sërish. Deri në momentin e arrestimit tim, unë kam banuar në të njëjtin apartament, të prindërve të mi, adresa ime në Shqipëri, që nga dita kur jam lindur”.
Më shumë mbi argumentin:
Meta i kundërpërgjigjet PS: Do dorëhiqem pas tre vjetësh
PS: Meta të japë dorëheqjen për skandalin e zyrtarit trafikant
MPJ: Almir Rrapo nuk ishte anëtar i Shërbimit Diplomatik
PS, Lutaj: Meta asnjë fjalë për zyrtarin e arrestuar për drogë
Çfarë deklaronte Policia e Shtetit:
Ndalohet shtetasi Almir Aleksandër Rrapo
Sot, me datë 02.07.2010, është ndaluar shtetasi Almir Aleksandër Rrapo, vjeç 27, nga Tirana.
Ndalimi i këtij shtetasi është bërë sot në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
Agjencia NOA ka siguruar letrën të cilën e botojmë të plotë më poshtë.
I nderuar zoti Ambasador,
Zoti Withers,
Së pari, përfitoj nga rasti, që jo vetëm si nënshtetas amerikan, por dhe si shqiptar, të shpreh vlerësimin më të lartë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, për rolin dhe kontributin që ajo mbart prej vitesh, në dobi të demokracisë në Shqipëri, forcimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
E ndjej të domosdoshme të ndërmarr këtë komunikim publik me ju, pse unë, Almir Rrapo, më datë 02.07.2010, në mjediset e Ambasadës që Ju administroni në cilësinë e Ambasadorit, u lejova të arrestohem, në vlerësimin tim, duke u shkelur çdo e drejtë e imja, çdo princip ndërkombëtarisht i pranuar mbi veprimtarinë diplomatike dhe konsullore e mbi të gjitha, ju shkaktua pasojë e rëndë emrit tim, familjes sime dhe njerëzve pranë të cilëve punoja, jo për faj të tyre.
Kjo letër publike përbën hapin e parë konkret timin si shtetas, për rikuperimin sado pak të këtij imazhi, por njëkohësisht, ajo synon, të kontribuojë nëpërmjet reagimit tuaj, qoftë ky i heshtur ose jo, në provueshmërinë e këtij fakti të paprecedentë, ku në mënyrë të papërgjegjshme dhe tërësisht të panevojshme, është lejuar, madje nxitur, përdorimi i territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kryerjen e operacioneve policore të një shteti tjetër.
Zoti Withers, unë jam arrestuar brenda territorit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, rreth orës 13:15 të datës 02.07.2010. Jam shtetas amerikan që prej vitit 2002, pa humbur shtetësinë e origjinës. Kam rreth 5 vite që jetoj dhe punoj në Shqipëri, pas një arsimimi adekuat dhe të realizuar me përkushtim nga ana ime. Kam kërkuar takim dhe kam përcjellë dokumentacionin përkatës pranë zyrës suaj konsullore me datën 01.07.2010.
Më datë 02.07.2010 rreth orës 11:30 jam telefonuar nga Ambasada për tu paraqitur sërish aty, me pretekstin e fotokopjimit të pasaportës së vjetër. Jam paraqitur si më lart, kam bërë kontrollin dhe jam drejtuar brenda territorit të Ambasadës, për në zyrën përkatëse konsullore, ku jam ndeshur me tre shtetas, të paraqitur si oficerë të policisë shqiptare, të cilët, pa juridiksion veprimi, më kanë vendosur prangat dhe nxjerrë nga Ambasada duke realizuar kështu njëkohësisht:
1) arrestin tim të paligjshëm,
2) deportimin tim të paligjshëm jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këto veprime, gjithkush përgjegjës, Ju siguroj, do të mbajë përgjegjësinë e tij penale dhe civile, sipas përkatësisë kombëtare dhe ligjit të cilit i nënshtrohet.
Duke prezumuar të kundërtën e asaj që Amerika përpiqet prej vitesh ti mësojë botës, do me thënë, duke prezumuar që unë jam i fajshëm, e qoftë dhe një shkelës ordiner i ligjit penal në Amerikë, dëshiroj t’ju pyes zoti Ambasador: Përse ishte i nevojshëm organizimi i operacionit policor brenda territorit të Ambasadës, madje nëpërmjet një kurthi të ulët, gjykoj, për vetë dinjitetin diplomatik dhe përfaqësues që Ju dhe gjithkush tjetër poshtë jush duhet të ketë, për sa kohë mban mbi krye flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Unë isha në zyrën ku punoja, kam përcjellë vetë të gjitha të dhënat e mia identifikuese dhe lokalizuese dhe Ju thjesht mund ti kërkonit policisë shqiptare ekzekutimin e arrestimit tim, në territorin ku ajo ka legjitimitet veprimi. Pavarësisht faktit që nuk besoj në një përgjigje apo motivim tuaj të ligjshëm, ju siguroj, që përmes perversionit nëpërmjet të cilit keni arritur arrestimin tim, më keni bërë proceduralisht një nder.
Unë nuk kam qenë një person i arratisur zoti Withers! Sjellja ime, në asnjë rast, nuk ka qenë ajo e një njeriu që i fshihet drejtësisë. Më shumë se një herë, për shkak të punës që kam bërë, unë jam takuar me nëpunës të administratës amerikane, me punonjës të autoriteteve shqiptare, të policisë dhe luftës kundër krimit dhe në asnjë rast nuk e kam fshehur identitetin tim apo të dhënat e mia të kontaktit. Gjatë kohës së qëndrimit tim në Shqipëri, gjithë këto vite, unë kam bërë një jetë normale, jam arsimuar, kam shkruar me identitetin tim, jam pajisur me dokumente nga më të ndryshmet të cilat mbajnë emrin tim, kam udhëtuar normalisht jashtë vendit dhe jam kthyer sërish. Deri në momentin e arrestimit tim, unë kam banuar në të njëjtin apartament, të prindërve të mi, adresa ime në Shqipëri, që nga dita kur jam lindur.
Vepra penale, për të cilën më atribuohet pjesëmarrja në bashkëpunim, shtrihet në një periudhë kohore 2003-2007, ndërkohë, që prej vitit 2005, unë nuk jam larguar nga Shqipëria për një afat të gjatë.
Urdhri i arrestit që më atribuohet si akt ndalues i lëshuar nga autoritetet amerikane me nr. 10 CRIM – 464, nuk e përmban emrin tim.
Të gjithë anëtarët e grupit kriminal të prezumuar, janë arrestuar në datën 8 qershor 2010, sipas komunikatave publike të këtij kazusi, me të cilat jam njohur dhe unë “bashkëpunëtori” vij dhe kërkoj rinovimin e pasaportës, disa javë më pas, në Ambasadë, sipas Jush, si njohës apo mos njohës i faktit të arrestimit të tyre?
Të njohur, përfaqësuesit e Ambasadës, për një vizitë time të afërt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arsye për të cilën është kërkuar rinovimi i pasaportës, përse nuk mundësuat veprimin e ligjit ndaj meje atje, duke kursyer kështu energjitë e policisë shqiptare, si dhe paratë e taksapaguesve amerikanë, që do të paguajnë biletën time të udhëtimit?
Mbi të gjitha përsetë që thashë me lart, unë logjikshëm mendoj, që arsyet e një veprimi të tillë, të paprecedentë dhe barbar ndaj meje, kanë të bëjnë me të tjera cilësi, veç qenies sime një person nën akuzë nga organet e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka me dhjetëra kazuse në jurisprudencën amerikane dhe në historinë e marrëdhënieve diplomatike me vende të tjera mike ose jo, ku elementi i përbashkët i tyre mbetet, të mos dorëzuarit e shtetasve amerikanë jashtë territorit të Ambasadës, autoritetit të huaj kërkues. Rasti im përbën precedentin e parë të kundërt dhe për më tepër u shit mediatikisht, si një kazus i shkëlqyer bashkëpunimi policor apo gjyqësor. Ai jo vetëm që nuk është i tillë, por duke cënuar çdo të drejtë dhe garanci që i jep ligji qytetarit, më detyron mua, amerikano-shqiptarin, Almir Rrapo, të ushtroj të gjitha të drejtat e mia për të rivendosur drejtësi.
Mbyll sërish këtë letër me respektin tim më të madh, për zyrën titullar i së cilës, Ju zoti Ambasador, jeni.
Tiranë, 13.07.2010
Almir Rrapo