English

Shalsi: Majlinda Bregu, pengon ndërtimin e shkollës në njësinë 9

Tiranë, 15 korrik, NOA/ Irma Toptani – Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Eduart Shalsi ngriti sot shqetësimin për akuzat që hedhin ndaj Bashkisë së Tiranës dhe pikërisht mungesës së Planit Rregullues të Tiranës, ministra të kabinetit Berisha, që sipas Shalsit mund të kuptohet vetëm si panik i qeverisë në fjalë dhe dëshpërim për gjithçka të parealizuar nga qeverisja e tyre.

“E vërteta është një tjetër. E vërteta është që qoftë zonja Bregu e qoftë zoti Imami, qoftë Ministrja e Integrimit e qoftë Ministri i Mbrojtjes, shpifin pasi janë kapur mat e janë zënë në panik”, deklaroi deputeti Shalsi.

Sipas deputetit Eduart Shalsi, “ministri i Mbrojtjes është bërë pjesë e një prej aferave më të mëdha korruptive duke nxjerrë në shitje qindra objekte e mijëra katrorë sipërfaqe toke, asete shtetërore, të cilat sipas Shalsit, do i përfitojnë me një çmim simbolik, dy fëmijët e kryeministrit Berisha, Argita dhe Shkëlzeni dhe ndonjë i afërm tjetër i familjes”.

Në këtë kontekst aferash të paligjshme, deputeti socialist, nënvizoi se lufta ndaj Bashkisë së Tiranës vjen si pasojë e tyre, pasi “Duke mos ditur si të mbrohet nga ky megakorrupsion, Arben Imami në mënyrë të pakuptimtë hidhet në sulm, duke mos kuptuar se drejtësia mund të vonojë, por s’ka për të harruar”, vuri në dukje deputeti i PS-së.

Shalsi ka evidentuar punën e Bashkisë së Tiranës si mjaft serioze duke theksuar se Bashkia e Tiranës ka rinkonstruktuar 35 shkolla dhe ndërtuar 7 të tilla në kryeqytet.

Madje tashmë shtoi Shalsi, Bashkia po zëvendëson sistemet tradicionale të ngrohjes me panele diellore, duke u renditur ndër kryeqytetet e para në Evropë.

Shalsi bëri me dije në deklaratën e tij në mbrojtje të Bashkisë së Tiranës, se “Majlinda Bregu e di shumë mirë se qeveria e saj mbetet sot e kësaj dite, pengesa e vetme për ndërtimin e kësaj shkolle në njësinë 9, pikërisht në këtë komunitet që prej kohësh kërkon një shkollë dhe ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka gati investimin dhe projektin, qeveria e Majlindës nuk e lejon shkollën”.

Sipas nënkryetarit të grupit të PS-së, Eduart Shalsi këto janë të vërtetat e pushtetit Berisha.

mit/NOA

KOMENTE