Shalsi:Ministrat Imami Dhe Bregu Janë Zënë Në Panik
TIRANË, 15 Korrik/ATSH/.- Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, reagoi sot pas deklaratave të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për planin rregullues të Tiranës dhe deklaratave të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, për shkollat në kryeqytet.
Deputeti Shalsi tha se ministrja e Integrimit dhe ai i Mbrojtjes "shpifin pasi janë kapur mat e janë zënë në panik".
"Ministri i Mbrojtjes është bërë pjesë e një prej aferave më të mëdha korruptive, duke nxjerrë në shitje qindra objekte e mijra katrore sipërfaqe toke asete shtetërore, me një çmim simbolik", deklaroi Shalsi.
Ndërsa lidhur me akuzat për mungesën e institucioneve arsimore në kryeqytet, ai u shpreh se "edhe pse bashkia ka rinkonstruktuar 35 dhe ndërtuar 7 shkolla në Tiranë, qeveria mbetet sot pengesa e vetme për ndërtimin e shkollës në njësinë nr. 9".
Pak ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në përgjigje të akuzave të opozitës lidhur me destinacionin e pronave të ushtrisë, kritikoi bashkinë e Tiranës për mungesën e planit urbanistik të kryeqytetit.
Ndërsa, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, njëkohësisht deputete e Tiranës, akuzoi kryebashkiakun Rama për mungesën e shkollave të mesme në njësinë bashkiake nr. 9./a.s//s.s./