English

Shkodër, arrestohet 23 vjeçari Çukaj që ekzekutoi 62 vjeçarin Ndoc Prroj

Shkodër, 15 korrik, NOA – Ka rënë më në fund në prangat e policisë autori i vrasjes së 62 vjeçarit Ndoc Prroj Vata në fshatin Kasnec të Malësisë së Dukagjinit, një javë më parë.

Vrasësi është 23 vjeçari Gjokë Çukaj, banor i komunës Pult, ku jetonte edhe viktima e tij, 62 vjeçari Ndoc Prroj Vata.

Policia e Shkodrës, njoftoi se arrestimi i autorit të vrasjes u bë sot në orën 14.15.

23 vjeçari Çukaj ishte shpallur në kërkim nga policia që të nesërmen e ekzekutimit me vdekje nga ana e tij e 62 vjeçarit Ndoc Prroj Vata, mbrëmjen e 7 korrikut, një ngjarje e ndodhur në rën 21.45, në fshatin Kasnec, vetëm pak metra larg shtëpisë së viktimës.

Sipas policisë i arrestuari e kishte ekzekutuar 62 vjeçarin për motive të dobëta duke përdorur si armë krimi një pistoletë.

Policia e Shkodrës bën të ditur se arrestimi i 23 vjeçarit vrasës u mundësua përmes negociatave të policisë me familjarët e autorit, të cilët e bindën atë të vetëdorëzohet, duke dorëzuar si provë të krimit edhe armën me të cilën kreu ekzekutimin e 62 vjeçarit.

Gjokë Çukaj, do të ndiqet tashmë penalisht nga Prokuroria e Shkodrës, për vrasje me dashje dhe armëbajtje pa leje.

mit/NOA
KOMENTE