Shkodër, Bllokohen 24 Kg Lëndë Narkotike, Arrestohen Dy Shtetas
SHKODËR, 15 Korrik/ATSH-G. G, Marku/ . - Policia e Shkodrës arrestoi sot në kushtet e flagrancës dy persona, nën akuzën "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Qarkut të Shkodrës bënë të ditur për ATSH-në se si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga forcat policore në hyrje të qytetit të Koplikut, në rrethin e Malësisë së Madhe, u arrestua shtetasi Agim Gurraj, 42 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, i dënuar më parë për trafikim të mjeteve motorike, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit të tij, tip 'Benz', me targa SH 0381 E, u gjeten dhe iu bllokuan 24 kg lëndë narkotike canabis sattiva.
Në vazhdën e operacioneve për goditjen dhe parandalimin e krimit, forcat e Policisë së Shkodrës, arrestuan sot në flagrancë edhe shtetasin Armir Mustafa, 24 vjeç, banues në lagjen "Manush Alimani" të qytetit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 35 gram lëndë narkotike.
Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasve në fjalë iu kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Shkodër për vepren penale të "Prodhim dhe shitje e narkotikeve"./s.s./