Shkodër, 15 korrik, NOA – Lojërat e fatit kanë qenë objekt i policisë së Shkodrës në 24 orët e kaluara.
Përmes operacionit të koduar policesk nën emrin “Lotaria e fundit” oficerët kundër krimit financiar të policisë së Shkodrës, janë kontrolluar disa mjedise private ku zhvilloheshin lojërat e paligjshme.
Policia gjatë kontrollit të ushtruar në dy prej lokaleve të lojërave të fatit ka sekuestruar këto dy ambiente dhe 19 aparate elektronike si dhe një Ruletë.
Sipas policisë drejtuesit e këtyre lokaleve kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit, por ata do të ndiqen në gjendje të lirë nga prokuroria e Shkodrës.
Në dëm të tyre është ngritur akuza për organizimin e llotarive të paligjshme.
mit/NOA