Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga burime zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Irma Paluka pranoi se këtë veprim e kryente duke “ndërruar fletën e borderosë ku ishte emri im që i shtohej vlefta që nuk kuadronte në borderonë e muajit”. Nga përllogaritjet e deritanishme të Auditimit, i cili është akoma në proces, vlera që Paluka ka përfituar shkon në shifrën 2 827 996 lekë
Tiranë, 15 Korrik 2010 NOA - Një financiere e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë është kallëzuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës pasi pas kryerjes së Auditimit të brendshëm në sektorin e financës të këtij institucioni u konstatuan parregullsi dhe mosrakordim i shifrës totale të borderosë së punonjësve me atë individuale për çdo punonjës.
Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga burime zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Pas kontrolleve të tjera, për të krahasuar borderotë që dorëzoheshin nga Institucioni dhe shumës së parave që kalonin në llogarinë bankare të çdo punonjësi, u arrit në përfundimin se vlera që shtohej në fund të shumës totale të borderosë, kalonte në llogarinë individuale të shefes së sektorit të financës Irma Nikolla Paluka.
Siç e pranoi edhe vetë në një deklaratë të lëshuar me shkrim, Irma Nikolla Paluka këtë veprim e kryente duke “ndërruar fletën e borderosë ku ishte emri im që i shtohej vlefta që nuk kuadronte në borderonë e muajit. Kjo fletë bëhej edhe njëherë me ndryshimet përkatëse dhe shuma pastaj kuadronte kur dërgohej në bankë. Këto para përdoreshin nga unë duke u tërhequr sipas nevojave…”.
Nga përllogaritjet e deritanishme të Auditimit, i cili është akoma në proces, vlera që Paluka ka përfituar shkon në shifrën 2 827 996 lekë.
“Të gjitha këto veprime të kundërligjshme dhe falsifikime i kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit dhe janë konsumuar elementët e veprës penale të paparashikuar nga Kodi Penal e përkatësisht, “neni 186, Falsifikim i dokumenteve” dhe “neni 248, Shpërdorim i detyrës””, - pohoi ministria.
Në këto kushte, drejtoria e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë që varet nga ministria, ia ka kaluar këtë çështje prokurorisë.
r.n/NOA